Iljaz Rexha sjell fakte interesante për Lidhjen e Prizrenit

Vendimet e versionit të Programit të parë të hartuara dhe të aprovuara nga Komiteti Qendror i Stambollit, në maj të vitit 1878, të botuara 3 muaj më vonë, më, 15 shtator po të atij viti.

Sipas artikujve të botuar lidhur me Krizën Lindore, që i sjell organi e Stambollit, Tercuman-i Şark që nga data e 10 (22) dhe 15 (27), qershorit 1878 e deri në fund të këtij muaji, Sami Frasheri e bënë të njohur versionin e Programit të parë politik, me karakter kombëtar dhe autonomist të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që ishte parafrazuar në mënyrë fragmentare në artikujt e kësaj gazete.

Nga artikulli hetohet dhe zbulohet qartazi se, ky program ishte hartuar nga Komiteti Shqiptar i Stambollit, gjatë muajit maj të vitit 1878 dhe i njëjti ishte dërguar para 10 qershorit për shqyrtim dhe miratim në qendrat e këshillave- komiteteve- të besëlidhjeve mbrojtëse të Lidhjes, që më herët, me iniciativën dhe angazhimin e këtij Komiteti ishin organizuar dhe vetëformuar në: Prizren, Shkodër, Janinë, Elbasan, Prevezë, Prishtinë, Elbasan, Dibër, Shkup, Guci, Ulqin, etj.

Ky program si paraprojekt ishte mbajtur sekret dhe nuk ishte bërë në tërësi i njohur opinionit publik, deri më 15 të muajit shtator 1878, përveç dy neneve:

1. Bashkimi i vilajeteve në një vilajet të vetëm, me një administratë unike që do të formojnë një vilajet të vetëm, me emrin”Vilajeti i Shqipërisë” dhe

2. Arsimimi dhe shkollimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe, që të mos mësojnë në gjuhën sllave dhe greke. Programi i parë nuk ishte bërë i njohur në tërësi, për arsye strategjike, derisa nuk konsolidohen dhe forcohen organet e Lidhjes Shqiptare, si edhe që të mos zbulohet aktiviteti politik i këtij komiteti, i cili vepronte në Stamboll, në mënyrë ilegale, që nga fillimi i vitit 1877.

Në bazë të një artikulli, që është botuar pikërisht, në atë ditë, kur Sami Frashëri paraqitet si kryeredaktor i kësaj gazete, më 10 qershor 1878, dhe po në atë ditë kishte filluar punimet Kuvendi Themelues i Lidhjes në Prizren, shihet haptazi se këtu janë shprehur kërkesat për bashkimin e krahinave, të banuara, kryesisht nga shqiptarët në një vilajet,por tani me sintagmën me emrin “Vilajeti Autonom i Shqipërisë,” me një administratë të vetme dhe unike, me qellim për mbroj¬tjen e viseve të tyre nga pretendimet e shteteve monarkiste ballkanike.

Këto 2 kërkesa përsëri ishin publikuar në gazetën e lartpërmendur më 15 qershor 1878. Dallimi i vetëm, është në formulimin e tyre, se në versionin e Programit të parë, të muajit maj, kërkohej bashkimi i Vilajetit të Kosovës, Shkodrës dhe ai i Janinës, ndërsa në kërkesën e 10 dhe 15 qershorit kërkohej bashkimi i vilajeteve,(pa i përmendur emrat e këtyre vilajeteve) në një vilajet të vetëm që do formojnë vilajetin me emrin: Vilajetin Autonom të Shqipërisë. (Bir imtiyaz Arnavutuk Vilayeti teskili_.

Gazeta “Tercman-i Şark” e Stambollit, këto kërkesa-vendime të Lidhjes Shqiptare që ishin hartuar, më herët, (në maj 1878-I.R) tashti i bënë publike dhe po i boton më 15 shtator të vitit 1878, më këtë titull:

Sipas informatave të Stambollit, kërkesat-vendimet e Komitetit të Lidhjes Shqiptare-(Arnavud Hey’ett-i Ittihadiyye), të cilat përbëheshin prej shtatë neneve, tashti po i shpall, (bënë) publike.

(Istanbul rivayetine gore “Arnavud Hey’ett-i Ittihadiyye” arzulari-mukarrerati, atiyede ki beyan ediyor, yedi madde’den i’baret etmis).

TEKSTI INTEGRAL I VENDIMEVE TE HARTUARA DHE TE AROVUARA NGA KOMITETI I SHQIPTAR I STAMBOLLIT NE MUAJIN MAJ TE VITIT 1878

Neni -1. Vetë lartmadhëria e sulltanit duhet t’i mbrojë të drejtat e shenjta të shqiptarëve dhe nga territori i viseve shqiptare të mos lejojë që të jepet asnjë grimcë toke fqinjëve të tyre, as kombeve të tjera që kufizohen me ta.

Neni- 2. Të bashkohen të tre vilajetet e tanishme, pikërisht ai i Kosovës, i Shkodrës dhe ai i Janinës dhe të formojnë një vilajet të vetëm, me emrin “Vilajeti i Shqipërisë”. Në këtë vilajet të emëro- ehet një vali i i dijshëm, i zoti dhe i ndershëm, i cili i njeh nevojat e vendit, gjendjen, zakonet dhe mentalitetin e popullit.

Neni -3. Nëpunësit e juridiksionit administrativ dhe të gjykatave, që do të shërbejnë, në këtë vilajet (shqiptar) duhet të dinë gjuhën e vendit, t’i kuptojnë çështjet dhe kërkesat që i paraqet populli dhe duhet të emërohen me punë zyrtare ata të cilët dinë të bisedojnë me vendasit, pa përkthyes.

Neni 4. Të mos merret në konsiderim dallimi, racor, fetar dhe ai klasor, por në mënyrë demokratike dhe të barabartë të bëhet zgjedhja e këshillave plenare. Popullsia e nahijeve duhet t’i zgjedhë këshillat plenare të nahijes, ndërsa këshillat plenare të nahijes t’i zgjedhin këshillat plenare të kazasë (rrethit). Këshillat e rrethit t’i zgjedhin këshillat e sanxhakut (qarkut), njëkohësisht prej këtyre këshillave duhet të zgjidhet Kuvendi i Madh (Përgjithshëm) i Vilajetit të Shqipërisë.

Neni- 5. Për çdo vit Kuvendi do të vazhdojë me mbledhjet e saj pu¬nën dymujore në qendrën e Vilajetit. Nga anëtarët e zgjedhur të Kuvendit,do të formohet Këshilli Drejtues (Ekzekutiv-I.R.), i cili do t’i zbatojë kërkesat e vendit, do t’i shqyrtojë të gjitha çështjet për të përmirësuar gjendjen ekzistuese të popullsisë dhe do t’i paraqesë padrejtësitë dhe të metat e nëpunësve, me anë të një përfaqësuesi në cilësinë e prokurorit të përgjithshëm në Kuvendin e Përgjithshëm, kur paraqitet nevoja për të zhvilluar ndonjë procedurë gjyqësore, atëherë procesi gjyqësor me këta nëpunës do të bëhet në Kuvendin e Madh (Përgjithshëm), kurse vendimi që do të merret nga ai, do të zbatohet edhe nga Qeveria Qendrore.

Neni- 6. Vilajeti i Shqipërisë, korrespodencën, lajmërimet telegrafike dhe bisedimet, do t’i bëjë me Portën e Lartë në gjuhën zyrtare osmane, ndërsa gjuhën shqipe do ta përdorë dhe zbatojë në gjykata, në mbledhje, konsultime, shkolla e progjimnaze që gjenden në viset e Shqipërisë dhe në ato që më vonë do të themelohen. Kurse vetëm në disa dituri dhe shkenca, ku është e nevojshme, do të përdoret gjuha osmane. Korrespodenca, shkrim-leximi dhe mësimi do të zhvillohen në gjuhën shqipe, dhe nga të ardhurat e vilajetit që vijnë fitimet, do të ndahet një sasi e mjaftueshme për përhapjen e diturisë dhe të arsimit. Në këtë mënyrë do të shpëtohet Shqipëria dhe shqiptarët nga errësira, mjerimi në të cilat janë lënë.

Neni- 7. Duke mos i marrë në konsideratë dallimet fetare, duhet të organizohet dhe të formohet nga të gjithë shqiptarët, një ushtri kombëtare, që pa dyshim duhet të ketë më tepër se dyqindëmijë – 200.000- ushtarë. Për këtë ushtri elite, e cila do të formohet, do të ekzistojnë rregullta të posaçme ushtarake, kurse për aftësimin dhe ushtrimin e saj do të angazhohen oficerë edhe nga ana e shtetit.