Guardiola, UÇK-ja dhe ne budallenjtë

Nga Robert  Thomanikaj 

Tre subjekte kaq të largët nga njëri-tjetri në një titull, çudit menjëherë cilindo lexues. Mirpo, për atë që e vëren historinë me imtësi dhe nuk lë gjë ti fluturojë para syve pa analizuar, çudia do të qëndronte në mosdallimin e shumë ngjashmërive në këtë botë!

I pari, një trajnjer i zoti, i afirmuar, ka patur javët e fundit disa probleme në klubin e tij! Vetvetiu, këto probleme nuk janë pasqyruar në imtësi në shtypin e ditës, sepse … sepse konfliktet në perëndim sot nuk zhvillohen me grushta dhe shpata të zhveshura, si tek njerzit primitivë të së kaluarës, por zhvillohen më së shumti vesh më vesh dhe prapa krahëve, siç i takon një njeriu „modern“. Kështu nuk është rastësi që Guardiola po konfrontohet së fundi me humbje njëra-pas tjetrës me ekipet e tjera, dhe … dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe në një konflikt të pashpallur.

Disa mijra kilometra më larg, i njëti fenomen, ai i një konflikti të pregatitur vesh më vesh e prapa krahëve, zhvillohet po ashtu me qetësi. Ndryshimi i vetëm është se në të parin çështjen janë thjesht konflikte individësh, ndërsa në të dytin duken se janë konflikte kombësish, apo që ndryshe quhen: çështje kombëtare. Ndërkohë që në konfliktin e parë nuk vriten njerëz, në të dytin ky veprim makabër është parashikuar dhe, biles, planifikuar. Ndërkohë që në të parin përfshihen vetëm disa individë, në të dytin përfshihen disa dhjetra njerëz. Ndërkohë që në konfliktin e parë mund të kemi një deri në dy-tre individitë si humbës në krenarinë e tyre intelektuale-profesionale, në konfliktin e dytë mund të kemi disa dhjetra deri në disa qindra humbje jete në njerëz, të cilët as kanë patur të bëjnë direkt me këtë konflikt. Ndërkohë që kritika në konfliktin e parë mund të të kushtojë disa të shara dhe diskretitime figure, kritika në konfliktin e dytë mund të të shkaktojë sharrjet nga më banalet (anonime) e deri dhe marrjen e jetës. Kjo, sepse planifikuesit e fshehtë të konfliktit të parë ruajnë disa norma etike të shoqërisë, po ashtu ruajnë edhe mos-implikimin e figurës së tyre në këtë konflikt të nxitur nga ata vetë. Ndërsa në konfliktin e dytë, sepse planifikuesit e fshehtë nuk mund të lejojnë në asnjë mënyrë implikimin e tyre në këtë konflikt, pasi marrin dënimin e merituar me burg.

Nëse planifikimi i konfliktit të parë plas si qelbi mbi puçra, në këtë rast gjinden dy-tre laskarë modernë televizivë, që dinë si ta sorollisin ngjarjen tërë etiketë për sytë e publikut, që ky i fundit ta hajë sapunin për djath. Nëse planifikimi i konfliktit të dytë tregon shenja çarje në publik, në këtë rast gjinden një turmë me laskarë primitivë, të cilët nisin zhurmën më keq, shtojnë të sharat, nxisin urrejtjen midis palëve konfliktuale e deri në urrejte kombësish, dhe biles shkojnë deri në kërcënime jete dhe biles edhe kalojnë në veprime terroriste anonime, në kamufllimin e të cilave pastaj përzihen të tjerë.

Po mirë, po ne budallenjtë, ç’lidhje kemi në këtë temë? –do pyesë me të drejtë një lexues naiv.

Ne jemi pasqyra ku pasqyrohen të gjitha këto konflikte prapaskenash. Nëse ne do të dinim të ndanim shapin nga sheqeri, këto prapaskena nuk do të bëheshin. Nëse ne njerzit e thjeshtë do të dinim të merreshim vesh me njëri-tjetrin, të paktën qoftë edhe për problemet e thjeshta ditore, këto plane të fshehta nuk do të gjenin zbatim. Nëse ne do të dinim ti thonim njëri-tjetrit mirmëngjez, mirdita, mirmbrëma, natën e mirë, në gjuhën e tjetrit, apo qoftë edhe në gjuhën ndërkombëtare, në anglisht, nuk do të mundte kush të kurdiste diçka në vendin tonë të punës, apo në lagjen tonë. Nëse ne do t‘kishim guximin të dënonim hapur e pa frikë ata që nxisin vetëm urrejtje nga mëngjesi e deri në darkë, këto konflikte të pregatitura prapa krahëve tanë nuk do t‘kishin mundësi të fillonin!

Por përse dreqin fillojnë ato?!

Ato fillojnë sepse ne kemi më shumë injorancë dhe mos-arsimim, se sa pjekuri në këto vite. Ato fillojnë, sepse ne strukemi kur rruga mbushet me patriotë të rremë, të cilët e kanë të nevojshme të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminele me thirrje patriotike dhe nacionaliste. Ato fillojnë edhe në këtë rast, sepse ne nuk kemi guximin ta shfaqim hapur kritikën tonë qoftë edhe ndaj disa rrepistave shqip-folës, që me tekstet e tyre vetëm derdhin helm dhe urrejtje për fqinjët tanë, duke i futur ata të gjithë në një thes, kështu edhe ne shqiptarët në thesin e tyre të terrorit të ardhshëm!

Për ta mbyllur po kthehem tek titulli „i çuditshëm“. Ndërsa heshtja ndaj konfliktit të parë nuk sjell ndonjë tragjedi të madhe, sepse në fund të fundit, individët e përfshirë në ‘të kanë të ardhura të majme dhe prespektiva të shumta, heshtja në konfliktin e dytë sjell tragjedi për mijra, e ndoshta qindra mijra njerëz, të cilët përveç disa plaçkave dhe shtëpisë së tyre, nuk kanë ku ta përplasin kokën tjetër kund. Mos heshtni o njerëz dhe shfaqeni mendimin tuaj, edhe në të kundërt të mendimit tim! Por mos derdhni urrejtje si disa gjak-prishur!