GREVA E PAKOHË E SBASHK-UT

* Më 13 janar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës shpallën grevë të përgjithshme, kështu duke bojkotuar të gjitha proceset mësimore që nga çerdhet e deri tek universitetet.

Ata po thonë që nuk i mjafton kjo rrogë të cilën e kanë, paga e të cilëve është kështu:

Një koeficient (1.0) është 239 euro, ndërkaq një mësimdhënës në shkollën e mesme e ka koeficientin 2.30 ose 549.7 euro. Me rritjen e koeficientit 30%, ashtu si shënohet në kërkesën e tyre, koeficienti rritet në 3.00, paga e kërkuar është 714.61 euro.

Një mësimdhënës në shkollë fillore ka koeficientin 2.0 ose 478 euro, me rritjen 30% të pagave, koeficienti bëhet 2.6 ose 621.4 euro. (për më tepër shikoni fig.1 më poshtë)

Të nderuar mësimdhënës dhe të gjithë anëtarë të grevës së përgjithshme së SBASHK-ut, Kosova është shtet 10 vjeçar, që po shkon në ditëlindjen e saj të 11-të, si shtet i brishtë që ka një ekonomi në ngritje, por me një tempo shumë të ngadaltë. Kosova nuk mund ta përballojë rritje të pagave, për secilin sektor në të cilin bëhet grevë. Kosova edhe pse shtet i ri, rradhitet në mes nga paga mesatare në Ballkan, ndërkaq e treta me pagë neto.

Arsyetimi i mësimdhënësve dhe SBASHK-ut, që “shoferët n’qeveri e kanë rrogën ma t’nalt se na”, është mendim irracional që më së paku duhet të bëhet nga intelektualët që i përcjellin gjeneratat e reja dhe ia dhurojnë diturinë e tyre ardhmërisë së këtij populli. Ata më së paku duhet të mbështeten në këtë gjykim, sepse me këtë reagim ata automatikisht humbasin titullin intelektual, ata i bashkohen të pangopurve politik dhe militantëve të tyre.

Mospranimin e rritjes së pagave për 10% të koeficientit, ata indirekt pranuan që qëllimi i tyre kryesor nuk ishin vetëm shifrat që do të rriteshin në fund të muajit, por që e gjithë kjo ishte si rrjedhojë e një presioni dhe direktivave politike.

Në një shtet si Kosova, që realisht grevë dhe protestë do të duhej të mbanin punëtorët e krahut dhe sfera tjetër e të punësuarëve me rrogë minimale, që nuk kanë as sigurime shëndetësore dhe një pagë katastrofale, po mbajnë profesorët të cilët nëqoftëse krahasohen me kolegët e tyre rajonal, qendrojnë shumë më mirë.

I mbështesim mësimdhënësit dhe dëshirojmë që ata të kenë paga më të mira, por vetëm atëherë kur rritet cilësia e arsimit, sepse prej euforisë dhe presionit, grevistët e kanë harruar që Kosova u rendit e treta në rezultatet e PISA-s, por nga fundi e jo fillimi. Arsimi fillor dhe ai i mesëm është në nivelin më të dobët të 20 vjetëve fundit dhe duhet të ia bëjmë të ditur që; jo nuk e meritoni rritjen e pagave.

Është e papranueshme kjo logjikë e tyre, që bien në të njejtën shkallë sikur “shoferat e qeverisë” dhe symbyllur përdorin si shkas një gjë të turpshme për të përfituar personalisht e për të turbulluar ujërat në një kohë të papërshtatshme.

Dihet që pasojat e gjithë këtyre vonesave, grevave dhe direktivave politike do të pësojnë më së shumti popullsia e thjeshtë, e në këtë rast ata që do të ndikohen më së shumti janë ardhmëria e popullit, rinia.