Gjykata Speciale është faji ynë!

Nga: Donik Sallova

Amandamenti kushtetues dhe ligji për të ashtuquajturën Gjykatë Sepciale u miratuan, duke përmbushur kështu kërkesën decidive të bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të hapte me iniciativën e saj mundësinë e hetimit dhe gjykimit të krimeve potenciale të kryera nga UÇK-ja gjatë dhe pas luftës. Pasojat kataklizmike u propaganduan si në rastin nëse nuk themelohej një gjykatë e tillë nga Kuvendi i Kosovës, ashtu edhe në rastin nëse themelohej.

Në rastin e parë u tha që do të çohemi kundër aleatëve tanë, pra kundër Amerikës, kundër garantit të lirisë sonë, e në rastin e dytë do të çohemi kundër gjakut të derdhur për liri dhe atyre që luftuan për çlirim nga pushtuesi serb. Të gjithë u pajtuan se kjo është një padrejtësi që po i bëhej Kosovës, duke ia njollosur luftën çlirimtare, por duke u pajtuar, po ashtu, se Kosova duhet t’i hetojë e gjykojë vet krimet e luftës, pa dallim kush i ka bërë ato, serbët apo shqiptarët. Kështu kjo gjykatë vendore për krimet e luftës do t’i hetonte e gjykonte qindra e mijëra krime të kryera nga policia, ushtria dhe forcat paramilirare serbe, si dhe dhjetëra krime që mund t’i kenë kryer ushtarë a ushtarakë të UÇK-së. Por si duket tanimë ishte vonë për një alternativë të tillë!

“Pse erdhëm deri në këtë pikë”,- pyesin të gjithë? Si ka mundësi që për Kosovën e cila luftoi për çlirim, liri e pavarësi të themelohet një Gjykatë Speciale Ndërkombëtare, ndërkaq për Serbinë e cila shkaktoi aq shumë luftëra në Ballkan nuk u themelua. Disa përgjigjen se Kosova që nga paslufta nuk ka krijuar dot institucione të mirëfillta të gjyqësisë të cilat do të mund t’i hetonin e gjykonin drejtë krimet e luftës të kryera potencialisht edhe nga pjestarët e UÇK-së.

Por ndaj këtij pohimi menjëherëu kundërargumentua duke u thënë se drejtësia dhe rendi në Kosovë, para dhe pas pavarësisë, ka qenë më shumë në kompetencën e ndërkombëtarëve se sa të vendorëve, prandaj faji është i tyre. Pse të ndëshkohet Kosova nga paaftësia e UNMIK-ut dhe EULEX-it për t’i hetuar krimet e luftës?! Përgjegjja është se krimet potenciale mbeten ende të pa hetuara dhe të pagjykuara. Gjithçka ngjanë me një komplot ndërkombëtar kundër Kosovës të cilin e ka sponzorizuar Serbia, apo të paktën ky është shpjegimi i përhershëm ndaj  problemeve që i shkaktohen Kosovës në procesin e papërfunduar të ndërtimit të shtetit dhe ndërkombtarizmit të tij. Por pyesin njerëzit,“si është e mundur që kërkesa për Gjykatën Speciale u shtrua me ngulm të madh nga aleati ynë i përhershëm SHBA-ja, madje duke na “kërcënuar” që nëse nuk e themelojmë atë, marrëdhëniet Kosovë-SHBA do të cenoheshin rëndë”?!

Në dukje, kësaj radhe diçka po shkonte përtej armikut tonë real e metafizik, Serbisë. Por në të vërtetë jo! Detyrimi i pakthim për të themeluar Gjykatën Speciale është fitore e pastër politike e diplomatike e Serbisë. Që nga dita kur Serbia është detyruar të largohet nga Kosova pas kapitullimit në luftë me NATO-n, ka vazhduar propagandën e saj që në Kosovë janë kryer krime të tmerrshme ndaj serbëve dhe kjo ka çuar në spastrimin etnik të tyre nga Kosova. Kjo propagandë ka qenë e njejtë si nga qeveria Millosheviqit e deri tek kjo e Vuçiqit. Propaganda kundër Kosovës ka vazhduar pa pushim. Ndërkaq Kosova, me kalimin e viteve luftën filloi ta bënte gjithnjë e më shumë pjesë të folklorit, siç ka bërë gjithmonë në histori. Prandaj në Kosovë përdoret kualifikimi ose etiketimi “mos u bëj folklorik” për të gjithë ata që duan të flasin për kombin dhe interesat kombëtare në publik: pra kjo e drejtë u është rezervuar vetëm rapsodëve! Mbi këtë logjikë të konceptimit të kombit si folklor (në kuptimin i tejkaluar), të promovuar fuqishëm nga elita e shoqërisë civile, e më vonë edhe ajo qeverisëse (pas 2007-ës), për Kosovën lufta me Serbinë kishte përfunduar në vitin 1999. Pikërisht këtu është thelbi i shpjegimit se pse ne ishim të detyruar tëthemelonim Gjykatën Speciale, kur ne nuk kemi qenë agresori në luftërat e ish-Jugosllavisë. Përgjigja është se për Serbinë lufta me Kosovën nuk ka përfunduar!

Që prej kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe e deri tek kryeministri e presidenti i Serbisë, çdo ditë deklarohet se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Madje, në një rast ati shpirteror e religjioz i kishës serbe pati deklaruar se “nëse është e nevojshme do të presim edhe 1000 vjet, por do të kthehemi në Kosovë”. Këto nuk janë vetëm deklarata populiste siç kanë dëshirë t’i quajnë politikanët tanë “young europeans-a”. Serbia me të gjitha segmentet e saj shtetërore e shpirtërore punon që të kthehet në Kosovë. Propaganda për “krimet e tmerrshme të kryera ndaj popullatës serbe të Kosovës” tashmë e shënoi fitoren e saj me themelimin e Gjykatës Speciale. Se a janë Dik Marti, Karla Delponte, Klint Uilliamsoni e të tjerë pro-serbë kjo nuk ka rëndësi. Ajo çfarë nuk kemi bërë ne si Kosovë për 16 vite pas luftës është të gjenim një eurodeputet, një ish-prokurore të Hagës apo një ish-gjykatës amerikan që t’i tregonte botës për mizorinë e krimeve serbe të kryera në Kosovë. Tregimin dhe tragjedinë tonë ua lamë në dorë UNMIK-ut e EULEX-it, por vet nuk bëmë asgjë që drama jonë të njihet në botë përtej reportazheve të luftës të transmetuara asokohe nga CNN e BBC, prandaj sot po e përjetojmë fort dramatikisht Gjykatën kundër nesh. Pas luftës për elitën tonë politike gjithçka tjetër ishte më e rëndësishme se sa “lufta për drejtësi”, ndërkaq Serbia papushim punoi në përmirsimin e imazhit të saj, qoftë edhe duke improvizuar me dënimin e krimeve të kryera prej saj gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ne as nuk improvizuam, prandaj sot jemi viktimi e neglizhencës sonë.

Detyrimi për ta themeluar këtë gjykatë se s’bënte ndryshe duhet ta na bëjë të reflektojmë si shoqëri dhe si politikë. Shoqëria duhet të reflektojë në raport me ata që nuk arritën ta mbrojnë të vërtetën e saj të përjetuar në luftë, ndërkaq elitat intelektuale e politike duhet të këndellen e ta kuptojnë se nuk ka paqe me Serbinë deri atëherë kur Serbia do ta kuptojë që Kosova nuk mund të jetë më kurrë nën dominimin e Serbisë: pra as atëherë kur KFOR-i nuk do të jetë më në Kosovë.Atëherë kur Serbia ta kuptojë që zot i Kosovës janë vendorët e përhershëm e jo ndërkombëtarët e përkohshëm. Populli i Kosovës duhet t’i largojë nga politike “iluzionistët e integrimeve europiane” të cilët besojnë se duke i ndihmuar Serbisë (përmes dialogut) të arfohet drejt BE-së do të shuhet edhe armiqësia shqiptaro-serbe.

Po ashtu, Kosova duhet t’i jap fund talljes diplomatike me iniciativa të tipit “diplomacia dixhitale e Kosovës”. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për diplomaci klasike dhe real-politikë në raport me Serbinë dhe gjithë fqinjtë e saj. Vetëm kështu do të mund të bëhet shtet i vërtetë sovran, në të kundërt do të mbetet “vërtetë special”, me gjykata speciale, asociacione etnike, demarkacione që i marrin territor dhe çdo element tjetër që shtetet reale nuk e kanë. Kosova ka nevojë për politikë dhe diplomaci ofensive në raport me fqinjtë, dhe jo të jetë në avant-gardë të eksperimenteve diplomatike për Ballkanin kozmopolitan. Të ndjekësh politikë kosmopolite sot në Ballkan, është njësoj sikur Enver Hoxha ndiqte politikën internscionaliste socialiste pas Luftës së Dytë Botërore, duke e humbur mundësinë e atëhershme të bashkimit kombëtar shqiptar.