Gishtin kokës!…

A jemi ne shqiptarët e zeza e vetëvetes? Apo, popull që kur të na reshen të zezat, nuk kanë të ndalur…Të sinqertë, mikpritës, naivë? Ka dhe shumë pyetje të tjera, me shumë pikëpyetje e pikëçuditje, që për fat të keq tonin, poashtu, “na thehen në dorë”, pak para se ta kapëcejmë lumin!…

Pamjet e mbrëmshme, që na solli ndeshja e ndërprerë e Ligës së Evropës, që u zhvilluan në stadiumin “Qemal Stafa”, në Tiranë, ndërmjet Kukësit dhe Legias, na lanë të nemitur, na tronditën, madje edhe më shumë se kaq…

Që nga minuta e 52-të e tutje, do të jetë rrezik që mos të na ndahet “gazepi”, të cilit ia bëmë “me sy” vetë, për të na futur në një spirale të dhunës, që për fat të keq, duket në horizont…

Ai që e qëlloi me gur futbollistin polak Duda, nuk dihet nëse është tifoz i Kukësit apo i Legias!? Por, dihet saktë se “dora e zezë” e tij, paralajmëroi ditë të vështira për futbollin shqiptar, në kohën kur jemi shumë pranë kualifikimit në përfundimtare të Kampionatit evropian.

Ai njeri që qëlloi me gur, nuk ia don të mirët as vetëvetes, e lëre më skuadrës së zemrës. Kukësi nuk e ka merituar këtë… As futbolli shqiptar, të cilit mbrëmë nisën t’ia “bëjnë me gisht” dashakëqinjtë e përbetuar…

Federata Shqiptare e Futbollit, prej mbrëmë mori alarmin e fundit… E ai thotë: asgjë të mos ia lëmë rastit, mos ta nënçmojmë gjendjen, të mobilizohemi dhe mos të lejojmë që në shtëpi të pësojmë nga të zezat që mund të na i montojnë dashakëqinjtë e përbetuar…

Tifozët e Legias prore kanë qenë të njohur si kundërshqiptarë të përbetuar, gjë që e dëshmuan gjithandej, pra edhe në Tiranë, kur u kacafytën me tifozët e Kukësit…

Ai që e qëlloi me gur në kokë futbollistin polak, nuk është me rëndësi nëse ishte shqiptar apo i ndonjë përkatësie tjetër… Me rëndësi është se ka dërguar sinjale të qarta se mund të na përsëriten pamjet, që do të na kushtojnë edhe më shumë…

E dijmë të gjithë se sporti, pra futbolli, është më shumë se lojë… Nuk është vetëm thjeshtë një lojë mes dy palëve rivale… Futbolli është politikë, dhe më shumë se kaq… Është vetë shteti… Dhe, detyrimisht, Shqipëria dhe shqiptarët duhet të bëjnë gjithçka që është në dorën e tyre, që për asnjë çmim të mos lejojmë të na ndodhin skenat si në Beograd, në Bolonjë, dhe së fundi në Tiranë, ku fatin e ndeshjeve do ta marrin nën kontroll ata që nuk ia duan të mirën futbollit tonë…

Tashmë dihen datat e ndeshjeve kualifikuese të përfaqësueses së Shqipërisë. Të gjitha ndeshjet, pa përjashtim, janë sprovë për ne. Në të gjitha këto takime nuk përjashtohet mundësia e përvjedhjes së dashakëqinjve për të na lënë “kopilin te dera”…

Ata që i tregojnë muskujt mund të korrin “fitore të Pirros”, ndërsa përfaqësuesja jonë është prore në rrezik që ta merr goditjen sikur Jul Cezari nga vëllai i tij Bruti!…

Gishtin kokës!…