FRROKU, shoferi mirditor që shtegtoi mallra të socializmit “made in Albania” për tre vite nëpër Europë!…

Nga:Gjergj Marku

Rrugët e tjera vazhdojnë në Bullgari, në Jugosllavi etj, si dhe më pas në vendet e Perendimit si në Gjermani, Austri, Francë etj. Transporti më interesant, rrëfen Frroku, pos se dërgonim mallra, edhe sillnim këndej, ka qenë nga Rumania, prej andej kemi sjellë maune të tëra me tel me gjemba-

Frrok D. Vorfi, tashmë i ka kaluar të 80-at, por mbahet shumë mirë në fizik e me mendje të kthjellët, me një memorie fantastike. Mban mend gjithçka ka përjetuar që katër vjeç, duke të folur me data e emra. Për tre vite (1975, ‘76, ‘77), ai ka punuar me eksportet ALBANIA, ku nënshkruhej TIR, duke transportuar mallra të ndryshme nga Shqipëria në drejtim të vendeve europiane si ato të Lindjes dhe ato Perendimore që nga Franca, Austria, Gjermania e gjetkë. Ka sa e sa kujtime, ndërkohë kur bisedon me të, ende, të jep idene e një njeriu “gojembyllur”, siç e donte sistemi asokohe për njerëzit që përballeshin me të huajt e “vendeve revizioniste apo kapitaliste!…”

Mban mend Luftën e Gëziqit

Ka qenë veçse 5 vjec, teksa i kujtohet koha e luftës në fshatin Gëziq ku dhe ka lindur në një familje të thjeshtë, që merrej me bujqësi dhe i vinte rreth jetës me shumë vështirësi. “Mbaj mend që ishte një dasëm, -rrëfen ai, kur një gjyle topi ra në oborr të shpisë dhe e ndau më dysh një man aty. Edhe pse kërciste jashtë, ata që ishin shtruar nëpër sofra me raki e meze, e morën vesh vetem kur erdhi një burrë me kokore e kopotë leshi që na lajmëroi që duhet të lëvizni sepse aty për pak kalojnë makinat dhe tanke gjermane. Lajmëtari quhej Luan Qafzezi. U ngritën të gjithë dhe ramë drejt lagjes Vaushënkollë e më tej për Simon, pastaj lajmëruam dhe familje të tjera, por më pas ngjau dhe masakra e Gëziqit me këdo burrë zunë nëpër fshat.

Ushtar në kufi dhe blegtor në fshat

Para se të shkojmë tek pasioni për shoferin, Frroku më rrëfen si në një film dokumentar gjithë historinë e jetës, kur ai ruante plot 190 krerë dhi që kishte familja si një coban i kujdesshëm dhe më pas për 29 muajt e ushtrisë në kufi në zonën e Leskovikut ku binte në sy për rregullsinë, aq sa kishte marë dhe gradën e nënoficerit.
Ne vitin 1964 krijohet kooperativa e Gëziqit. U bëmë më keq nga ana ekonomike dhe për pak vite nuk ia dilnim dot jetës si familje ndaj kërkuam që të nxirrnim vëllain në punë shteti. Rastisti sekretari i parë Jorgji Shuli, i cili tha se do të dalësh ti, madje të vazhdosh shkollë edhe për kuadër. Unë kisha veç 4 vite shkolle. Megjithatë nuk shkova në Rrëshen por në Spaç ku po hapej miniera, dhe punova për disa kohë aty si punëtor.

Kur ngiste makinën e minierës natën fshehurazi

Frroku rrëfen në detaj pasionin që pati për makinat. Mbante mend që i vogël makinat e para që kalonin në udhën e hapur të Gëziqit për Shpal, ca zisa të gjeologëve, ndërsa e ngacmonte “nepsi” për t’i ngarë dhe ai një ditë.
Sa ishte punëtor në minierë, bënte disa herë rrugën me shoferin e minierës Frrok Gjoka, me një zis të kohës. E ngisja tinzash natën. Në njëfarë mënyre ai qe dhe mentori i parë i tij si shofer i të ardhmes. Koincidenca dhe fati ecën me pasionin e tij për makinën pasi në vitin 1967 pa bërë fare kurs, jep provat duke fituar me të parat. Pasi i japin një zis, për disa vite punon si furnitor i miniërës së Spaçit duke kaluar vend për vend në Shqipëri nga Jugu në Veri. Në vitin 1971 futet për kursin e naftës, siç cilësohej asokohe, dhe atë e merr me provat e para, kjo bën që të ngrihet një “grade”, nga Zisi tek Skoda 1 vendëshe. E mbaj mend mirë makinën time të parë me naftë (asokohe nuk kishim PARK më vete por Hozrashot me Tiranën), dhe më ra të ngisja me Ndue Lekën një skodë me timon të lehtë, vazhdon rrëfimin Frroku. Bënim rrugën e Spaçit me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Kishte rast që për 29 ditë të mos e kemi fik makinën asnjëherë, gjithmonë me tejkalim të planit. Kur e pyes për vështirësitë e rrugës dhe punën natën, më rrëfen kohët e dimrit me akuj të zi, kur për centimetra mund të bije në humnerat e Spaçit apo tek piacalja e tmerrshme e fabrikës së Repsit. Edhe pse ishte shumë e vështirë, sëpaku mbaja familjen e madhe me një rrogë, sepse rroga 15-16 mijë lekë për kohën, ishte sa e Enver Hoxhës!…

Përgjatë gjithë këtyre viteve, deri në vitin 1999 kur dola në pension, rrëfen më tej, nuk kam bërë asnjë gërvishtje me makinë dhe as një lloj aksidenti, as të kem gërvisht dhe gishtin e vogël, edhe pse shume sherbime i beja vetë. Edhe tani në moshën 80 vjecare, nget një makinë të lehtë, ndërsa ne meditimin e tij me jep me kuptu, se do ishte mirë ta lija tashmë ngarjen e makinës që ta mbyll kapitullin e jetës pa asnjë lloj aksidenti a tjetër.

Mirditorët e parë, shofera për jashtë shtetit në kohën Komuniste

Rrëfimet e Frrokut më pas shkojne për tek vitet kur ai punoi si shofer me maune eksporti për jashtë shtetit. Pasi na kërkuan për të bërë fotografitë në maj të vitit 1975 na thirrën mua, P. Tucin, D. Lleshin, N. Hasanin ne Parkun e Eksportit në Durrës për të filluar punën e re si shoferë me eksportet. Mbaj mend që na shoqëronin dy shoferë, gjithmonë të riun me nje shofer që kishte mbi 3 vite punë jashtë shtetit. Rruga e parë ishte për në Maqedoni. Ngarkuam çimento në Elbasan për në Bidole (Manastir). Kur e pyes c’të bëri përshtypje, thotë se sapo kaluam kufirin, pamë botë tjetër, thua se ishim në një kopësht të gjelbëruar ndryshe nga zymtësia e anës sonë. Pastaj punimet atje. Shtëpitë e mëdha që janë bërë këto vite ne Shqipëri, atje kishin nisur që në vitet ’70-të. Rrugët e tjera vazhdojnë në Bullgari, në Jugosllavi etj, si dhe më pas në vendet e Perendimit si në Gjermani, Austri, Francë etj. Transporti më interesant, rrëfen Frroku, pos se dërgonim mallra, edhe sillnim këndej, ka qenë nga Rumania, prej andej kemi sjellë maune të tëra me tel me gjemba!

Katër herë kam udhëtuar me avion për në Çeki kur shkonim për të sjellë skodat e famshme çeke prej andej. Pyetjes së çfarë transportonit më shumë, ai rrëfen se çonim domate, speca, rrush, bostan, portokalle, presh. Ndërsa vë buzën në gaz, ai më thotë se ishin perimet më të kërkuara dhe ambalazhoheshin perfekt preshët e fushave tona!…

Rroga 6500 lekë, por dhe dieta!…

Nuk kishim rroga të mira, madje shumë më pak se këtu. Por na jepnim dieta në valutë, sidomos ne i preferonim në dinarë. Kur kishim rrugë të gjata dhe duhej të flinim atje, në tre muajt e dimrit dhjetor, janar dhe shkurt, na paguante shteti hotelet, natyrisht te dorës së fundit, ata më të lirët, ndërsa muajve të tjerë kishim nga dy krevatë në makine dhe flinim në makinë. Dieta kishim dhe për defektet që mund të ndodhnin dhe ishin jo të pakta, imagjinoni LIAZ-et tona udhëvë të gjata me mijëra kilometra nëpër Europë, deri sa më vonë erdhen SCANIA-t e para që ishin ku e ku me të parat.

Kur e pyesnim për njerëzit e atjeshëm, si u dukeshin, ai rrëfen se ishin shumë miqësorë me ne shqiptarët, pos një rasti në Bullgari kur policët e atjeshëm u folën punëtorve të një fabrike për të mos u afruar me ne albanezët. Shumë më të ngrohtë ishin hungarezët por dhe të tjerët, madje shpesh herë na jepnim ndonjë arkë me banana, që ne as u dinim emrin dhe as shijen.

Mallrat që merrnim: me pikatore!

Duke qenë se tek ne mungonin gjërat më bazike, natyrisht familjarët e shoferëve të Eksportit, kishin një fat tjetër sa u përket sendeve të konsumit. Është e vërtetë thotë Frroku, ne sillnim ca gjëra që të tjerët nuk i kishin, binin në sy edhe gratë edhe fëmijët tanë me rroba ndryshe. Por ama kishin nje limit që mund të sillnim, deri në 10 mijë lekë për 45 ditë, ndryshe dhe një lek më tepër na konfiskohej. Kishim mundësi me marr lavatriçe, frigoriferë, televizor me ngjyra dhe orendi të tjera sepse ishin lirë sidomos në Jugosllavi, po kush na linte!

Katër shoferët dezertues!…

Kur e pyes Frrokun si sot për atë ditë, duke e dit se gjendja ishte krejt ndryshe andej, a të ka shku mendja me ia mbath e me ndejt andej. Më thotë, kurrë jo! Jo se nuk kisha qejf, e dija fort mirë cfarë jete do bëja andej, por si do të merrja në qafë fëmijët, gruan, vëllezërit e gjithë farefis. Kjo na bugoste! E megjithatë katër shoferë nuk u kthyen më, por jetuan në Botën e Lirë.

Emocioni i jetës: takimi me Papa Franceskun

Kur e pyes për emocionin më të fortë në jetë, ai më rrëfen se fatin e pata para 5 viteve, kur na ftuan si familje për të takuar Papa Franceskun ne vizitin e tij ne Tiranë. Isha me djalin Dedën, Gruan dhe fëmijët e djalit, rrefen ai. Qe nje ditë teper e vecantë për familjen tonë të takoje Atin e shenjtë, i cili me përzemërsi na bekoi si familje.

Epilog

Dhe kështu, duke mbyllur bisedën, që mundohem ta mbaj sa më shkurt, sepse do duheshin netë të tëra rrëfimesh, vijmë nga fundi, teksa Frroku me bashkëfshatarin Fran Brozin më ftojnë për një kafe, ku e vazhdojmë muhabetin krejt lirshëm mbi ato kohë dhe këto kohë, ndërkohë që të dy në atë orë të vonë marrin telefonata nga zonjat e shtëpisë, sepse tashmë edhe Frroku jeton në Rrëshen me bashkëshorten, fëmijët i ka përcjellë në Amerikën e largët, ndërkaq që ai vazhdon të jetojë në mes kujtimeve të hershme, jetës në moshën e tretë që e bën aktive edhe pse po i kalon të 80-at, dhe fshatit ku ka lind, Gëziq, fshatin e shënuar për histori të mëdha, por dhe njerëz të butë e mikpritës, siç është dhe Frrok Vorfi!

(Të dhëna:

Dikur maunet e eksportit emociononin çdo mashkull në Shqipërinë ekstremisht të izoluar e pavarësisht emërimit zyrtar të agjensisë, njiheshin si ALBANIA që kryenin një volum të madh transporti dhe puna me to u besohej vetëm personave tepër të aftë profesionalisht dhe mbi të gjitha: të sprovuar nga biografia.
Shqipëria ka qenë e fundit që e kishte nënshkruar marrëveshjen për TIR-in, (Marrëveshja për Transportin Ndërkombëtar) në vitin 1973, e në marrëveshje në fillim shkruhej ANAL-TIR, e më vonë u bë “Albtrans” apo siç njihej më thjeshtë: ALBANIA.
Kamionët e parë ishin të tipit, kryesisht LIAZ, e nga mesi i viteve ’70-të, flota e automjeteve të transportit nisi të kompletohej me “Scania”-t suedeze.
Në fillim të viteve ’80-të kishte në përdorim gjithsesi “Skoda” të tipit “Liaz” dhe “Scania” të disa modeleve. Por transporti nuk kryhej vetëm në drejtimin Shqipëri drejt një vendi të Europës Perëndimore apo Lindore qoftë, por edhe duke kryer e marrë përsipër kontrata që shkonin përtej këtij itinerari.

Kështu rezulton se “Albtransport”-i në vitin 1986, kishte fituar tashmë një kontratë (tender) të leverdisshëm për të transportuar mish nga Gjermania në Austri dhe nga Franca në Irak, e për ta përmbushur këtë detyrë, Agjensia Shqiptare mori madje në dispozicion të saj edhe disa tipa të përdorur nga Agjensia Hungareze e Transportit Ndërkombëtar, “Hungarocamion” (1628 dhe 1632 NG). Logoja e kësaj të fundit shihej shpesh në rrugët e Shqipërisë së kohës së monizmit, ndërsa kamionët e saj kalonin tranzit apo e përdornin si destinacion vendin tonë për t’u furnizuar me prodhimet shqiptare.

Gjergj Marku