Ekstremizmi i butë

Agron Halitaj

Islamofobia, në kontekstin aktual shoqëror paraqitet si anë e kundërt ekstremit që vije nga rrymat e indoktrinuara islame.

Rasti i Llapushnikut, e shpërfaq  intolerancën që kanë islamofobët ndaj çdo veprimi që bëhet nga pjesëtarët e besimit islam.

Arsyet që i japin banorët e fshatit në refuzim të lokacionit të ndarë për varreza të krishtera, islamofobët nuk i marrin si të mirëqena.

Kundërshtimi, apriori, i gjithçkafit në emër të properëndimizmit, është një lloj “ekstremizmi i butë” që nëse nuk prodhon efekte të menjëhershme, pashmangshëm prodhon pasoja të mëvonshme, njëjtë siç po prodhon tash ekstremi tjetër i ndikuar nga Lindja.

Ata që nuk kanë ngarkesa fetare, e dinë se çfarë debatesh e çfarë tensionesh shkaktojnë nëpër lokalitetet rurale, ndarjet e lokacioneve për qëllime të caktuara, hiq ato fetare.

Mund të numërohen në gishta, shkollat apo ambulantat e ndërtuara nëpër fshatra që nuk janë përcjellë  me telashe vetëm për shkak të lokacionit.

Kurrë nuk është dëgjuar që dikush të ketë thënë se është kundër shkollës apo shtëpisë së shëndetit, ama shumë janë dëgjuar duke shprehur mospajtime me lokacionet ku ishin vendosur të ndërtoheshin objektet.

Ose një mëhalle i ka rënë larg shkolla, ose një familjeje iu ka avitur ambulanta te dera e shtëpisë, ose një fshat ka këmbëngul që shkolla të mos ndërtohet në fshatin fqinjë. Pra, arsye nga më të ndryshmet janë dhënë, derisa është vendosur që diku të hapet themeli.

I të njëjtës natyrë është edhe rasti i Llapushnikut. Për banorët e këtij fshati, problem është lokacioni, jo qëllimi për çka është dedikuar parcela.

Ata nuk po duan as kishë e as xhami aty. E kjo nuk është ekstremizëm. Kjo, s’ka të bëjë  me intolerencën. Tjetër, është t’i japësh qëllimshëm apo edhe nga injoranca këso konotacioni.

Asnjë islamofobë nuk u dëgjua duke e vlerësuar vullnetin e mulla Osmanit nga Drenasi, i cili  u shpreh i gatshëm të ndaj tokën e vet për kishë e për varreza katolike, sikundër që asnjëri syresh nuk u dëgjua duke e dënuar vendimin e kryetarit të komunës së Drenasit për ndarjen e atij lokacioni, pa e marr pëlqimin e asamblesë komunale.

Nuk duhet harruar se për ndarje të ngjashme të pronave, pra pa pëlqimin e komunës, është dënuar kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili tash në ethe po e pret vendimin përfundimtar të gjykatës.

Është shumë lehtë, sidomos  për mjeshtrit e të shkruarit, që t’i japin ngjyrë çfarëdo zhvillimi, por duhen vlerësuar vetëm ata që i thonë gjërat ashtu siç janë.

Duhet çmuar ata që kanë guximin që t’u kundërvihen rrjeteve ekstremiste që përpiqen t’i japin tjetër frymë islamit në Kosovë.

Duhet çmuar ata që e shpërfaqin mendësinë totalitare të një pjese të drejtuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Duhet çmuar edhe ata gazetarë e publicistë, sociolog e teolog, që i ofrojnë publikut njohuri mbi të keqen që i kanoset njerëzimit nga intoleranca edhe ekstremizmi.

Ama, gjykimi nuk duhet të jetë i anshëm. E, paragjykimi s’duhet të ekzistojë fare.