E pabesueshme ku kemi mbërri

Në vend të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, ne sot rrezikojmë çrregullimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe me BE-në.

Shkruan: Blerim Shala

Edhe një herë?

Politika kosovare ka pesë vjet të plota që vendimmarrjen e duhur, të domosdoshme për interesat jetike të shtetit të Kosovës, e kthen në debat dhe në diskutim të pafund, ku gjithçka thuhet, pa fillim e pa fund, apo, ku politika vendore realisht kthehet në një ndejë të kotë në një kafene, ku natyrisht, kur vjen puna te pagesa e faturës, ajo i shkon në ‘konto’ të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vet shtetit të Kosovës.

Ndërsa temat për të cilat flitet aq shumë, pa kurrfarë mase, janë të qarta dhe të thjeshta për këdo që sadopak merr vesh në politikë dhe që fare pak përcjell zhvillimet ndërkombëtare.

Një herë, ta zëmë, harxhuam gati tri vite të plota (e çdo ditë e humbur kot për një familje, e lëre më për një shtet, nuk kompenzohet dot), në trajtimin e temës së Marrëveshjes për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Çka nuk u tha dhe çka nuk u shkrua krejt për këtë kufi, që bashkon (dhe nuk ndanë), dy shtete mike. Të gjithë ne u bëmë ekspertë të dorës së parë të kësaj materie. Debati pa atë epilogun në trajtë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës, në pranverën e para tri viteve, kishte pasoja fatale për Qeverinë e koalicionit të madh, PDK, LDK, komunitetet pakicë.

Disi e mbyllëm këtë temë në marsin e vitit 2018-të, sa për ta marrë ‘buletën’ për ‘trenin’ e liberalizimit të vizave, por në ndërkohë kuptuam që ky tren na kishte ikur, dhe që disa shtete të BE-së kanë rezerva të theksuara ndaj mundësisë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Zonën e Schengenit.

Një herë e mashtruam keq veten, duke ia humbur kohën dhe mundësinë vetëvetes, pastaj, na mashtruan në BE, (sepse ndryshe nuk ka si të definohet sjellja e disa shteteve të BE-së ndaj nesh), ndërsa qytetarët e Kosovës janë të frustruar dhe të mërzitur, si me politikën vendore, ashtu edhe me atë ndërkombëtare.

Në dy vitet e fundit, rolin e debatit për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, e ka marrë tema e tarifës ndaj produkteve të Serbisë dhe Malit të Zi.

Nuk ka më çka të thuhet a të shkruhet këtu në shqyrtim të kësaj çështjeje. Të gjitha dihen. Të gjitha janë sqaruar dhe janë shpjeguar.

Natyrisht, dihet që tarifat u bënë sebepi kryesor i prishjes së marrëdhënieve në mes të partnerëve të koalicionit në Qeverinë e kaluar, madje, realisht, edhe i rënies së Qeverisë dhe organizimit të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Edhe Qeveria e re e Kosovës, nuk po mund dot t’i shmanget këtij debati të trashëguar. Për më shumë, ajo nuk po di çka të bëj me te, apo, po përpiqet disi ta ndryshojë temën e diskutimit, pa marrë atë vendimin aq shumë të kërkuar prej SHBA-së dhe BE-së, të heqjes apo pezullimit të tarifës, pa ndërmarrë masa të reja të cilat sërish do ta konfirmonin ngecjen në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Si me Qeverinë e kaluar, ka të ngjarë që edhe kjo e tanishmja, mund të ballafaqohet me tensione të brendshme, në raportet midis dy partnerëve kryesorë, ‘Vetëvendosjes’ dhe LDK-së, dhe me ato të jashtmet, në relacionet në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosovës dhe BE-së (dhe shteteve kryesore në BE), për shkak të paaftësisë për t’i marrë vendimet e duhura, apo, në vijim të ‘aftësisë’ për tu shterë kot së koti në fjalosje të pafundme.

Pra, debatet rraskapitëse në politikën kosovare në pesë vitet e fundit, (dhe ka të ngjarë që kjo qasje do të vazhdojë në politikën kosovare), ndikuan në rënien e dy qeverive, në organizimin e dy palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në humbjen e rastit për ta marrë të drejtën e udhëtimit pa viza në Evropë, dhe në ftohjen evidente në raporteve të Kosovës me SHBA-në, me shtetet kryesore në Evropës, me BE-në.

Në vend se të bisedohet në mënyrë intenzive për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ne sot e gjejmë veten në një situatë kur rrezikojmë çrregullimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe me BE-në, dhe kur edhe një herë mund të përballemi me paralizën e vendimmarrjes së Qeverisë së Kosovës.

E pabesueshme ku kemi mbërri.