Diplomati i parë kosovar që u mbulua nga hija e të vëllait

Shkruan: Bajram Mjeku

Janë katër personalitete të shquara, të cilët vunë themelet e diplomacisë shqiptare. Vëllezërit Mehmet e Faik Konica, Fan Noli dhe kosovari Said Kryeziu nga Gjakova. Ky i fundit e shkoi gjithë jetën nën hijen e të bëmave të vëllait të madh, Ceno Bej Kryeziu. Pikërisht për këtë, historianët shqiptarë të prirë jo rrallë nga smira e injoranca e flakën padrejtësisht Said Kryeziun si një rekuizitë të parëndësishme.

Said Kryeziu, vëllai më i vogël i Hysen, Hasan e Gani Kryeziut, u lind më 10 prill të vitit 1911 në Gjakovë. Kreu Gjimnazin në Prizren, ndërsa doktori në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sorbonës në Francë në fillim të viteve gjashtëdhjetë.

Saidi ishte poliglot. Fliste dhe shkruante bukur në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, spanjolle, turke dhe gjuhët sllave.

Është po ky Said Kryeziu, i cili së bashku me dijetarin Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Zef Pali e Nuçi Kotta, më 26 gusht të vitit 1949 në Paris themeluan Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”.

Saidi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Komitetit, më saktë kishte pozitën e Kryeministrit shqiptar në mërgim. Qëllimi i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, ishte rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri, themelimi i një qeverie demokratike dhe bashkimi i trojeve shqiptare.

Historianët kosovarë çuditërisht e fshehin edhe një tjetër fakt. Veprimtari i shquar kosovar, Enver Hadri i cili u vra në shkurt të vitit 1990 nga Shërbimi Sekret jugosllav në Bruksel, ishte djali i mbesës së tyre, Ifakete Kryeziu.

Diplomati i parë kosovar, Said Kryeziu vdiq më 16 maj të vitit 1993 në Nju-Jork. Shtypi i kohës heshti shuarjen e tij, njësoj si veprimtarinë e tij të bujshme në dobi të çështjes shqiptare./Gazeta Tribuna/