Dialogu dhe paqja janë alternativë sfiduese e armiqësisë

Kosova, është në fazën finale të dialogut me Serbinë. Politikbërja është komplekse, idetë dhe konkluzionet determinohen nga proceset e mëdha të cilat kërkojnë proaktivitet politik dhe qasje direkte në ritmin dhe zhvillimin e tyre.

Sot, kërkohen veprime të guximshme, vendime që shihen alternative dhe që së paku në dukje tejkalojnë çdo interes individual, grupor, shoqëror, etj.

Por t’i referohemi historisë, e shohim se si shembuj ka mjaft. Pas luftërave të mëdha e të përgjakshme, në “tryezën e dialogut” kanë përfunduar gjermanët me francezët, izraelitët me vendet arabe (paqja e Kemp Dejvidit), kroatët dhe boshnjakët me serbët, etj. Sot edhe më të freskëta si çështje, Krimea dhe plani Trump për Izraelin dhe Palestinën.

Rastet mund të jenë të ngjashme por nuk duhet të trajtohen të tilla, por as nuk duhet konstatojmë që janë bërë zgjidhje ideale, por me rëndësi historike ka qenë se janë ndërprerë armiqësitë dhe një “modus i paqes” mbi arritje të caktuara (traktate, vendime, marrëveshje, etj.), e ka zëvendësuar armiqësinë.

Orientimi i ynë i pa negociuar, duhet të jetë perëndimore. Assesi nuk duhet lejuar që segmente të caktuara për të prishur ekuilibrin e forcave të instaluara në Kosovë për manipulim të masave dhe opinionit, e ku si qëllim kryesor kanë prolongimin e procesit në emër të patriotizmit fiktiv, të vijnë në shprehje dhe të shkaktojnë pengesa në këtë drejtim qoftë ai edhe pushteti.

Ne duhet të jemi proaktiv dhe pragmatist drejt vendimmarrjes lidhur me zhvillimet për procesin e dialogut.

Duhet të jemi koshient ndaj veprimeve politike të cilat më pastaj, krijojnë realitet të ri. Veprimet tona, së pari duhet të jenë në interes të brendshëm dhe se ato, duhet të jenë mbi interesat opozitare, dhe ngjashëm.

Ne, me asnjë çmim nuk duhet që t’i zhgënjejmë partnerët – aleatët ndërkombëtarë në krye me SHBA-në. Është e kuptueshme dhe shumë e vështirë që në kohë reale të jesh edhe transparent aktiv edhe të kesh para vetës vendime të duhura për të prodhuar paqe dhe konsensus, mirëpo kjo assesi nuk do të thotë që nuk është e mundur.

Miqtë dhe aleatet tanë ndërkombëtarë, dëshirojnë që shteti ynë të jetë modern, i fuqishëm dhe strategjik në raportet ndërkombëtare. Ngjarjet që po ndodhin sot në shoqërinë tonë, kërkojnë vigjilencë politike dhe diplomatike, sepse nuk duken të jenë të rastësishme.

Në të njëjtën kohë, qoftë vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe qoftë transparenca që duhet të ketë ky dialog, është logjike që ndonjë fazë të ketë diskrecion, arsyeja dhe qëllimi që nuk rrezikon strategjinë e vendimmarrjes që do t’i shërbente interesit afatgjatë të Republikës së Kosovës, por që as nuk bëhet shkaktar i palës refuzuese në dialog.

Shihet qartë se Taksa është pengesa që mundëson bisedimet dhe SHBA-ja, është duke e mbështetur një kërkesë tillë të Serbisë. Çdo lëvizje për heqjen e taksës, duke manovruar, duhet të ketë në konsideratë edhe pasojat e saj si dhe faktin që Serbia nuk pajtohet dhe është shprehur edhe kundër reciprocitetit si masë.

Kjo do të thotë që Serbia kërkon rikthimin e gjendjes së mëparshme, pra të para – taksës dhe rrjedhimisht edhe rikthimin në formatin e tillë të dialogut (dialogun e para taksës) dhe treguesit janë se nuk është shumë e interesuar në dialog rezultativ dhe as marrëdhënie serioze dhe korrekte me Kosovën të paktën para përfundimit te zgjedhjeve në Serbi. Taksa duhet të pezullohet deri në konstatimin e arritjes ose mos arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi (pezullimi nuk kishte për të zgjuar shumë diskutim të madh dhe do të jepte kredit në fillimin e dialogut).

Dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë, i qartë, i bazuar në parime dhe me rezultate konkrete për zbatimin e të cilave në praktikë të kërkohet garanci ndërkombëtare veçanërisht të SHBA-së, e që duket se e ka një seriozitet të tillë.

Në relacionin e marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të jemi vigjilent, sepse koha po ecën mbrapsht! Gjykimi më racional dhe më i drejtë, është që të mos i shmangemi dialogut dhe të synojmë arritjen e paqes.

Duhet ditur një fakt, deri më sot, asnjë marrëveshje nuk është arritur e as diskutuar pa prani të SHBA-së. Rambujeja-Liria e Kosovës, bisedimet e Vjenës-Pavarësia e Kosovës dhe marrëveshjet e Brukselit, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe së fundmi bisedimet për njohje reciproke! Sot dialogu është zhvendos në Uashington.

Tani, kur jemi në fazën e fundit të bisedimeve me Beogradin, tavolina e bisedimeve mbushet me lloj-lloj planesh si zgjidhje. Por kjo është përshkruar indirekt me propozime si modelin e «korrigjimit të kufijve» përveç asociacionit me kompetenca “ekzekutive”, që rrjedhë nga Marrëveshja e 19 prillit 2013.

Është zhvilluar debati rreth kësaj çështjeje në qarqet vendimmarrëse ndërkombëtare që tregon se bëhet fjalë për korrigjim të kufijve. Korrigjimi-demarkimi do të ndodhë, si obligim për subjektivitet ndërkombëtar që kërkon definim të kufijve ndërshtetërorë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se korrigjimi si proces nuk mund të bëhet pa cenuar në mënyrë reciproke territor të të dyja vendeve, për faktin e paqartësive historike dhe pretendimeve legale që mund të shpërfaqen.

Hedhja e topit në opinion, me kërkesë maksimaliste se Lugina duhet të hyjë brenda kufijve shtetëror të Republikës së Kosovës, globalisht e ka rikthyer vëmendjen e diplomacisë botërore si asnjëherë pas vitit 1999 në relacionin Prishtinë – Beograd.

Si temë, korrigjimi i kufirit si rrjedhë logjike tregon se e ka arritur synimin që të fortifikoj kufijtë ekzistues, kur kemi parasysh qëndrimet ndërkombëtare rreth sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Kërkesa që Lugina e Preshevës të kalojë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, në mendjet e liderëve botërorë, zgjoi efektin domino të Lëvizjeve të kufijve në Ballkan, e cila arriti në pikën e ndjeshme të kundërshtimit të saj, e kjo qartësoi edhe qëndrimin ndaj integritetit dhe sovranitetit të Republikës nga qarqet me ndikim perëndimor.

Kjo sipas këndvështrimit politik dhe diplomatik e ka lehtësuar tavolinën e bisedimeve duke arritur qëllimin në disa drejtime:

E para, një JO e madhe lëvizjes së kufijve, i thuhet një PO e madhe sistemit unitar të vendit,

E dyta shteti nuk duhet të bëhet jo funksional me kërkesa që cenojnë sistemin politik dhe juridik të Republikës, sepse një gjë e tillë vetëm sa do të vononte definimin e kufijve në Ballkan.