Dialog për të shmangur “cunamin” e urrejtjes ksenofobe

Nga:  Giovanni Rigoli

Shpërthim që thyen heshtjen dhe kthehet në frikë, terror dhe terrorizëm. Nuk jemi duke shkruar mbi vitet e rënda apo mbi periudhën e masakrave të Cosa Nostras e cila sfidon Shtetin, apo mbi ndonjë armik të identifikuar në nivel ndërkombëtar. Kjo, më shumë se luftë istikamesh, është një luftë e re, një përplasje qytetërimesh dhe interesash politiko-ekonomike të vjetra, por që tashmë kanë gjetur një trup dhe emër tjetër që përkojnë me sinonimin e padrejtësisë shoqërore, mos tolerancës dhe mos marrjes parasysh të nevojave njerëzore.

Kjo luftë ka për bazë interesa ideologjike të cilat, megjithatë, nuk janë të kuqe apo të zeza, por kanë të veshur maskën e fundamentalizmit pseudo-religjioz. Ne duhet të kemi kujdes, të mos jemi aq naivë sa të lejojmë që një ‘cunami’ të tronditë ndjenjat tona. Më shumë se për luftë të hapur apo për eliminim dhe dëbim armiqsh, të flasim për besim, për besimin e vërtet, i cili na dërgon drejt dialogut kulturor dhe ndër-religjioz, të flasim për garantimin e të drejtave të patjetërsueshme.

Italia, në masën e saj, ka përjetuar në faza të ndryshme terrorin mbi lëkurën e saj, terrorin e viteve të rënda gjatë së cilave krahët ekstrem të politikës jashtëparlamentare sfidoheshin përmes shpërthimeve të bombave, atentateve dhe sekuestrimeve. Italia, po ashtu, ka kaluar edhe në periudhën e masakrave të Cosa Nostras e cila, veçmas personave, kishe vënë në shënjestër bukuritë artistike dhe historiko-arkitektonike të të ashtuquajturit “Vend i Bukur”, ku sipas një logjike jo vetëm të dalë mode tashmë, por të ashpër dhe vrastare, njerëzit e Shtetit do të mund të zëvendësohen nga të tjerë, por me shkatërrimin e një pjese të historisë artistike dhe kulturore shlyhet, përgjithmonë, një pjesë e identitetit.

Kësaj radhe armiku identifikohet në Shtetin e ISIS-it, i cili ka bërë që nga shumë anë të rrjedhin thirrje për përdorim të forcës, për goditje ndaj goditjes në kundërshtimin e strategjisë së tyre të dhunës dhe terrorit, përmes përdorimit të forcës ushtarake perëndimore për të rivendosur paqen, duke ia hequr religjionit Islamik petkun mos urrejtjes. Mos, vallë, është kështu më të vërtet? Mos dhuna është antidoti i vërtet i vetvetes, apo mos kjo dhunë është duke u shndërruar në metastazë gjithnjë më e pakontrollueshme nëse nuk parandalohet me kohë?

Asnjë religjion, aq më pak ai Islamik, nuk predikojnë luftë por paqe, pajtim dhe harmoni mes popujsh. Myslimani, hindusi, i krishteri, ateisti, hebreu dhe të tjerë, janë që të gjithë qenie njerëzore, dhe si të tillë vëllezër dhe bijë të Zotit. Para se të thërritet për luftë në shkallë ndërkombëtare, përse të mos propozohet, mes tjerash, një dialog konstruktiv nga i cili do të përfitonin të gjitha religjionet? Ndoshta është ky momenti kur Perëndimi dhe Lindja do duhej të uleshin në tavolinë, jo duke llogaritur me kujdes në interesa të tyre dhe as duke i zhvendosur dallimet, por duke i zhvilluar, diskutuar dhe shfaqur këto dallime në mënyrë që të gjendet një pikë e përbashkët mirëkuptimi.

Këtu nuk bëhet fjalë për kolonializmin, për mbizotërimin e njeriut të bardhë apo për të parë me sy të mirë atë që mendon sikur ne dhe është i ndjeshëm, kurse nga ana tjetër të shihet si një kërcënim ai i cili mendon ndryshe. Të mendojmë vetëm për një moment si do të ishte nëse do të praktikonim besimin tonë në mënyrë paqësore dhe të drejtë, duke respektuar të afërmit dhe vëllezërit! Nëse dikush nga i njëjti besim i yni do të vriste për të kërkuar lëvdatë në emër të Zotit, çfarë do të ishim ne, viktima apo masakrues? Përgjigja e kësaj pyetje është e qartë. Nuk janë myslimanët vrasës, luftënxitës apo nxitës urrejtjeje, por fundamentalistët! Kështu që është e dëmshme, e padrejtë dhe jo korrekte, si nga pikëpamja njerëzore po ashtu ajo politike, të fajësojmë Islamin. Që të dy palët, të krishterë dhe myslimanë, jemi bijë të Zotit!

Nëse një nga vëllezërit tanë akuzohet dhe shtypet pa të drejtë, a nuk do duhej që ne të ndërhynim për të vënë në pah pafajësinë e tij dhe për të sjellë para drejtësisë fajtorët e vërtetë? Paqe, dialog dhe lutje! Të gjithë ne jemi amerikanë, parisien, të gjithë ne jemi myslimanë, të krishterë dhe italianë. Të gjithë jemi njerëz, vëllezër dhe bijë të Zotit.

Dialog dhe lutje, jo përsiatje, por aksione konkrete sinergjike dhe diplomatike, duke zëvendësuar armët e zjarrit dhe planet e luftës me ndihma humanitare dhe mjete komunikimi përmes së cilave shfaqet dashuria, e bukura dhe vlerat evangjelike. Më shumë se për tërheqje të këmbëzës së armës, ne kemi nevojë t’ia shtrijmë dorën vëllait dhe të kuptojmë, dialogojmë, bashkëbisedojmë, të përballemi verbalisht, të shpjegohemi, të pranohemi dhe të duhemi. Lufta nuk është higjiena e kësaj bote, ajo përbën fundin, tumorin, gjumin e arsyes, ku zemra dhe intelekti, parimi i solidaritetit, përgjegjësia dhe vlerat evangjelike zëvendësohen nga instinkti i vrasjes, nga ligji i më të fortit, nga urrejtja dhe nga frika ndaj atij që është i ndryshëm nga ne.

/Përkthyes nga italishtja: Elbasan Racaj /Gazeta Tribuna/