Demarkacioni pse kaq problem, zgjidhjen në dorë e ka Kadri Veseli!

Shkruan: Shaip Muja

 

Republika e Kosovës pa dyshim se duhet të kompletojë zyrtarisht vijën kufitare me fqinjët e vetë, nga të gjitha anët ku kufizohet. Por, pse është kaq problem vërtetësia e demarkacionit të prezantuar sipas qeverisë dhe komisionit shtetëror.

Kosova vërtetë është vend i vogël dhe prodhon probleme të mëdha, me ose pa dashje.

Duke vërejtur nga viti i kaluar kundërshtimet që i janë bërë demarkacionit nga kolegët tanë opozitarë dhe ata në pozitë, është krijuar një ide që kjo çështje nuk ka zgjidhje përveç Arbitrazhit. Unë mendojë se ende ka kohë dhe problemi nuk bëhet vetëm nga një palë, nëse palët në problem nuk ulen dhe të marrin përsipër edhe gabimet që kanë bërë, atëherë prodhojnë kundërshtime dhe tensionime të cilat sot paraqesin edhe shqetësim rajonal e global për Kosovën në veçanti, dhe miqtë e tanë ndërkombëtarë në përgjithësi.

Ne duhet çartë të shpjegojmë se çka po duam kur kundërshtojmë.

Unë me modestinë time dhe obligimet që kam, jam munduar t’i jap shpjegim të gjithanshëm problemit se si duhet zgjidhur, që nga shtatori i vitit 2015, që do thotë edhe plotë dy muaj bëhet një vit.

Për çudi, askush, asnjë vlerësim të mendimit tim as që e ka interpretuar, as në opozitë as në pozitë dhe sot jemi me presione, shantazhe dhe spekulime që nëse nuk e votojmë demarkacionin, i sakatojmë qytetarët me lëvizjen e lirë. Këtë po e thonë tani pas dhjetë muajve politikanët tanë.. Po e thonë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe po thonë edhe pse ju s’keni asnjë material në dorë, në ditën kur t’ju vjen materiali s’e keni problem, vetëm votoni thoni çka të doni në seancë dhe ne fund votoni, YES dhe për ne e keni mbaruar punën.

Jo, s’bëhet kështu, sepse kjo çështje i tejkalon edhe interesat politike e individuale, kjo çështje të damkos njëherë e përgjithmonë me ngjyrë të zezë nëse është gabim, nëse nuk është bërë gabim kjo çështje po të ishte në duart e deputeteve qe nga shtatori, sot do të kishte zgjidhje te përfunduar, prandaj unë kam thënë, vazhdojë të them ta analizojmë kronologjinë, etiologjinë dhe metodologjinë e problemit.

Nga aspekti kronologjik i ngjarjeve për demarkacionin, në Kuvendin e Kosovës kanë reaguar që nga Janari 2015, deputetë të pozitës si, Xhavit Haliti, Shpejtim Bulliqi etj., dhe me kundërshtim të fuqishëm edhe lideri i AAK-së, z. Ramush Haradinaj, i pastaj ka fituar edhe përkrahjen e tërë opozitës dhe disa deputetëve të pozitës.

Në mënyrë profesionale, kundërshtimin e ka bërë edhe deputeti i LDK-së, z. Shpejtim Bulliqi në cilësinë e profesorit te gjeografisë dhe një grup juristësh e gjeografësh të tjerë. Por këto vërejtje askush nga qeveria dhe komisioni shtetëror si kishte marrë si serioze dhe sot të gjithë deputetët kemi dyshime, që nëse votojmë kështu, do marrim damkën e Ahmet Zogu-t, i cili përjetësisht ia fali Maqedonisë Shën Naumin, pa asnjë arsye strategjike, por për interesa personale.

S’mund të marrim damkën si Ahmet Zogu!

Ky problem të damkos sipas deputetëve, më shumë se Gjykata Speciale apo vendime të tjera, këtë damke askush s’mundet me ta heq në histori, sepse flitet për 83 km katrorë që hipotetikisht do t’i mungojnë Kosovës nga rreth 11000 km katrorë sa ka Kosova.

Këtë damkë nuk ta heqin as lëvizja e lirë e qytetarëve nesër, pasi që s’ka pasur asnjë arsye të zvarritet vetëm për Kosovën liberalizimi, e që edhe kjo çështje është shumë hipotetike pas BREXIT-it, se a do jemi në Shëngenin real tutje, apo do jemi në marrëveshje kontraktuale me shtete veç e veç, që kemi interes të bëjmë në shumë drejtime bilaterale, politike, ekonomike, e ushtarake. Këtë damkë nuk mundet më ta heq as prononcimi i Ambasadorit Amerikan, që është miku me i madh i shtetit tonë nëse del realisht siç po e shpjegojnë kundërshtuesit. Këtë damkë mundemi me heq vetëm ne me një konsensus nacional, duke u ulur të gjithë për të marrë vendime të renda për vendin edhe nëse nuk na pëlqejnë personalisht.

Qeveria shkaktarja kryesore e problemit!

Etiologjia e problemit per mua ka filluar nga sjellja e qeverisë dhe ajo është shkaktarja kryesore e problemit, pse e them këtë: Qeveria e Kosovës sipas procedurave dhe obligimeve që ka, ka vepruar kësisoj, e që në këto pyetje s’e kam ndëgjuar askënd se është përgjigjur:

Qeveria ka formuar Komisionin Shtetëror për Demarkacionin, që është obligim i saj, dhe i beson komisionit që ka bërë punën në rregull dhe profesionalisht.
Qeveria e Kosovës ka obliguar ish- ministrin Hashim Thaçi dhe ministrin, Skender Hyseni, të nënshkruajnë marrëveshjen ( që quhet në parim ) me Malin e Zi, e që është një procedurë e cila nuk ka asnjë efekt juridik (pa ratifikim) siç e quajnë opozita, edhe me terma tradhti kombëtare etj. Ky nënshkrim ka prodhuar dy efekte pozitive, Kosova mori MSA-në ndërsa, Mali i Zi anëtarësimin në NATO, dhe një efekt politik negativ shumë kundërshtues nga opozita fillimisht dhe tani edhe nga shumë deputetë të pozitës.
Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk shpjegon se pse ka shkelur një rezolutë, e cila i përshkruan drejtë detyrat dhe obligimet që ka karshi institucionit me të lartë të vendit- Parlamentit sepse kështu është, dhe vepron në kundërshtim të saj apo është e frikësuar apo nuk di ta shpjegoj nxitimin pse u nënshkrua marrëveshja.
Marrëveshja edhe pse nuk është respektuar nga qeveria, nuk ka prodhuar prapë ndonjë efekt juridik, por me sjelljen e saj ka krijuar një opinion politik sikur ka bërë tradhti kombëtare, e ka shitur territorin etj., që i dëgjojmë çdo ditë.
Qeveria pse nuk e ka sjellë në duar të deputetëve zyrtarisht materialin deri më tani, por ekspozon presion mediatik kombëtare e ndërkombëtar karshi deputetëve, që nëse nuk e votojmë ratifikimin pozitivisht ne do ta dëmtojmë rendë Kosovën në perspektivë, gjë që më jep të drejtë që qeveria është vet prodhuese e problemit, vet prodhuese e opinionit dhe vet shtytëse e opozitës për të bërë veprimet siç i ka bërë apo siç i ka ndërmend t’i bëjë në të ardhmen për këto probleme. Nëse është vet shtytëse qeveria, atëherë ka krijuar një opinion të gabuar tek ndërkombëtarët për tërë situatën politike, duke u arsyetuar që të gjithë jemi të pa aftë të bëjmë shtet, por mes shiut dhe breshrit urdhëroni zgjidhni, ne qeveria jemi shiu edhe te lagur është më mirë me neve, por me opozitën përveç të lagur do jeni edhe të goditur fizikisht nga breshëri. Normalisht që ndërkombëtarët do të bisedojnë me ata qe do shpjegojnë vetëm anën e vetë, në këtë rast vetëm me qeverinë, ndërsa opozita dhe deputetët kundërshtues as që do të pyeten sepse kështu ju pëlqen, kështu janë rrethanat rajonale e ndërkombëtare që sa me pak problem të kemi aq më mirë jemi, një oportunizëm klasik që mundet të prodhojë pa nevojë probleme serioze.
Këto janë huqjet e opozitës

Nëse analizojmë në anën tjetër, opozita përveçse ka të drejtë të kundërshtojë për gabimet e lartë cekura karshi qeverisë, është duke ja huqur, mendoj metodës kundërshtuese për demarkacionin.

Pavarësisht si e kanë në dorë materialin kundërshtuesit e demarkacionitn opozita dhe ne, disa deputetë, ai material ende zyrtarisht s’ka ardhur ne kuvend, ne s’kemi të drejtë pa rrugë ligjore ta interpretojmë apriori se është mirë apo keq vija kufitare me Malin e Zi.
Opozita s’ka të drejtë të thotë ta kthejmë në pikën zero, ta anulojmë komplet, ka të drejtë dhe ne po ashtu dhe po kërkojmë që ta rishikojmë, korrigjojmë, në bashkëpunim me komisionet shtetërore të dy vendeve, që edhe pala malazeze po thotë që jam gati të ulemi dhe mos të lëmë çështje te hapura mes vete si fqinj të mirë që jemi.
Opozita s’ka të drejtë të na paragjykojë neve deputetëve, se si do të veprojmë apriori sepse nuk e ka te drejtën as nacionale e as politike që të lëshojë certifikata patriotike.
Opozita s’ka të drejtë kur thotë se Murat Meha, ka bërë tradhti kombëtare dhe duhet të shkojë në burg së bashku me Hashim Thaçin e Isa Mustafën, sepse në burgje shkon kush bënë vepër penale me efekte të plota juridike, e në këtë rast efekti juridik ende nuk është prodhuar dhe ne kemi mundësi bashkërisht ta vlerësojmë dhe ta ndalojmë e ta negociojmë nëse ka problem demarkacioni. Këtë opozita e ka penguar dhe tani faji hidhet mbi të plotësisht, sepse sikur të kishte qenë lëndë juridike qe një vit opozita kishte shkuar para prokurorisë me fakte dhe para Gjykatës Kushtetuese .
Opozita siç duket është aktore e teatrit të qeverisë. Sepse qeveria ka interes për këtë teatër, të largojë vëmendjen nga problemet edhe më të mëdha që ka popullata, ndërsa opozita ka interesa për një “faktorizim politik me mjetin e saj në duar- demarkacionin pa efekt juridik” dhe kështu vazhdojmë bashkëjetesën me teatrin, ndërsa popullata depresionin dhe zhgënjimin dhe mos besimin në asnjë lider sot në Kosovë.
Vetëm Kadri Veseli mund ta nxjerr vendin nga kriza!

Kush mundet ta nxjerr nga kriza dhe t’i jap drejtim këtij problemi?!

Realisht, vetëm Kuvendi dhe deputetët e Kosovës, në këtë rast Kadri Veseli në cilësinë e dyfisht, si Kryetar i Kuvendit dhe lider i PDK-së dhe partneri kryesore i koalicionit, e ka në dorë zgjidhjen.

Pse kjo çështje vonohet, unë s’di çka të them, por di të them se pavarësisht thirrjeve, presioneve atyre kombëtare e ndërkombëtare në këtë situatë asnjë deputet nuk do të ketë guximin pa u bindur plotësisht nuk do ta votojnë demarkacionin.

Kadri Veseli ka mundësi te dëgjoj të gjitha palët dhe të bëjë një agjendë, e cila për 24 orë arrin zgjedhjen sipas eksperteve, dhe nëse arrin që të bëjë këtë agjendë, ai do jetë shpëtimtari i situatës dhe zgjedhjeve të parakohshme, sepse këtë patate të nxehtë askush se mbanë në dorë nga liderët tutje.

Kadri Veseli, lideri i PDK-së dhe Kryetari i institucionit më të lartë të vendit – Parlamentit, e ka në dorë, të kërkojë zyrtarisht nga qeveria sjelljen e materialit për Kryesine e Kuvendit dhe deputetët.

Ka të drejte të kërkoj dëgjim publik urgjent me të gjitha palët që janë të interesuar në këtë problem. Ka mundësi që përmes qeverisë dhe me asistimin e një delegacioni profesional të palëve në marrëveshje pozite e opozitë të ulë dy komisionet shtetërore të rishikojnë ku kanë apo s’kanë gabuar.

Kadri Veseli ka mundësi që brenda një dite takimi nëse dy komisionet shtetërore me monitorim dhe asistim të këtij komisioni, që e formon Parlamenti Kosovës ta zgjidhë problemin. Sipas ekspertëve takimi i parë bëhet për metodat e paracaktuara sipas ligjeve në fuqi, të diskutohen a janë aplikuar nga palët, nëse po dhe nëse dakordohen me fakte edhe komisioni mikst i Parlamentit te Kosovës, atëherë kalohet ne takimin e dytë me komisionet teknike për demarkacionin dhe me monitoruesit e parazgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, që të bëhet shtrirja e vijës teknikisht, dhe ajo nuk bëhet duke dalë në terren, por bëhet me dy USB në kompjuter dhe për 15 minuta, i nxjerrë të gjitha rezultatet. Nëse ato janë OK apo gabim, dhe pas kësaj të gjitha planet kanë mundësi rishikimi dhe korrigjimi apo edhe aprovimi nëse nuk prodhohen gabime.

Nuk e kuptoj zvarritjen pse po bëhet qoftë nga qeveria qoftë nga Parlamenti, por s’po e kuptoj as opozitën dhe rigjiditetin e saj pse se kërkon këtë procedurë, apo është vetëm e interesuar të rrënojë sistemin e të vij vetë në pushtet, por nuk do ketë suksese, sepse logjikisht do prodhojë nesër prapë problem dhe nuk do të ketë konsensus nacional për këtë çeshtje.