Dedaj tregon nëse është anuluar njohja nga Burundi (VIDEO)

U raportua se Burudni ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës.

Por këtë po e mohon zëvendësministri i punëve të jashtme, Gjergj Dedaj.

Për Tribuna Channel ai ka deklaruar se nuk kanë pranuar asnjë shkresë zyrtare apo note verbale nga ky shtet.

Dedaj shtoi se Serbia vazhdimisht lobon për tërheqjen e njohjeve.

“Nuk mund të bëhet asnjë krahasim në mes Burundit edhe bile është edhe qesharak me bë me Amerikën dhe unë e kam thënë dhe do ta them se një shtet i cili paradite e njeh një vend dhe të nesërmen i bien pishman dhe kërkon tërheqjen e njohjes, atëherë për mendimin tim nuk është shtet serioz. Unë përshendes çdo shtet në botë që e njeh pavarësinë e Kosovës si e drejtë e popullit të Kosovës e dëshmuar edhe në GJND, por edhe e njohur edhe nga 115 vende të botës dhe për këtë arsye deklarata ime është keqinterpretuar për qëllime politike ja di edhe ku e kanë qëllimin, dëmtimin e imazhit tim edhe aktivitetit tim”

Kishte akuza se Dedaj ishte shkaktari i tërheqjes së njohjes, por ka një përgjigje për këtë. Madje paralajmëron.

“Këto se gjaja dikush prej nesh ka ndikuar d.m.th janë manipulime, unë e di arsyen pse, tash për tash nuk do ta them, por kur do ta them do të shqetësohet shumë opinioni, dmth është një çështje krejtësisht politike, është një çështje krejtësisht e tendencave për të na degraduar sepse thash edhe ashtu edhe kështu, unë psh si zv.ministër nuk kam asnjë qasje te ministri Pacolli”

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arton Musliu thotë se tërheqja njohjeve mund të ndodh siç është rasti i vitit 1913, ku shteti i Amerikës respektivisht presidenti Ëilson, ka tërhequr njohjen ndaj Meksikës, për shkak të ardhjes në pushtet të regjimit Victoriano Huertas.

“Nuk duhet anashkaluar dhe margjinalizuar edhe konventën e Vjenës mbi të drejtën e traktateve neni 26 i secilës thotë që secila konventë, pakt , marrëveshje apo çfarëdo marrëveshje tjetër është e obligueshme vetëm për shtetet pjesëmarrëse dhe ratifikuese, në këtë kuptim, duke qenë se Konventa e Monte Videos mbi të drejtat dhe detyrimet shteteve është e nënshkruar dhe e ratifikuar vetëm nga 15 shtete e Amerikës Latine dhe SHBA-ja, atëherë i bie që një konventë e tillë nuk është e obligueshme për shtetet tjera të cilat nuk janë pjesëmarrëse dhe ratifikuese”

Propaganda serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare ishte bërë kohë më parë edhe me shtetin Guinea-Bissau./Tribuna Channel