Ballkani Perëndimor dhe BE-ja – një partneritet kyç

Nga: Mogherini, VP Sefcovic dhe komisioneri Hahn

Sot, Qeveria e Austrisë ka qenë nikoqire e liderëve të Ballkanit Perëndimor në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të perspektivës së Bashkimit Evropian për këtë rajon. Bashkë me liderë nga Gjermania, Franca, Italia, Sllovenia dhe Kroacia, ne si përfaqësues të BE-së kemi ndjekur këtë Samit të rëndësishëm – një vazhdimësi ky i një konference të mbajtur nga Qeveria gjermane në Berlin para një viti – menjëherë pas një hapi para, qenësor, në dialogun e lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Katër marrëveshjet e arritura të martën e kaluar në Bruksel – për energji, telekom, themelim të Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe dhe Lirisë së Lëvizjes/Urës së Mitrovicës – janë një arritje e madhe në normalizimin e raporteve në mes të të dy vendeve. Ato kanë dërguar një mesazh të fuqishëm në gjithë rajonin.

Me një perspektivë të qartë evropiane që është nisur për Ballkanin Perëndimor, ky rajon është më së afërmi drejt Bashkimit Evropian në kuptimin jo vetëm gjeografik, por edhe në atë të vlerave dhe të aspiratave. Qytetarët e rajonit dëshirojnë kushte më të mira socio-ekonomike në vend, një sundim të fortë të ligjit dhe llogaridhënie, përmirësim të lidhjes brenda vendeve të tyre, në vendet fqinje dhe në tërë BE-në. Të rinjtë kërkojnë rrugë për realizimin e shpresave të tyre për arsim dhe vende të mira pune, bashkë me një bazë të sigurt për nisjen e jetës së tyre familjare.

Për të arritur progres, është e qartë se liderët lokalë duhet të mënjanojnë rivalitetet dhe të fokusohen në interesin e përbashkët të vendeve të tyre, që është bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane. Marrëveshjet e rëndësishme vendore në fillim të vitit 2015 në Bosnje dhe Hercegovinë dhe së fundi në ish –Republikën Jugosllave të Maqedonisë, bashkë me hapin më të fundit në dialogun Beograd-Prishtinë, janë shembuj të dinamikës së nevojshme.

Në këtë kuptim, progresi në ndërlidhjen është një shembull shumë i mirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë në duar drejtimin: liderët e tyre duhet të lavdërohen për tregimin e vullnetit të tyre politik dhe lidershipit në lënien mënjanë të diferencave në të kaluarën. Ata janë pajtuar që të ndërtojnë ura – jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në kuptim të paqes dhe pajtimit.

Arritja e marrëveshjeve për të tejkaluar konfliktet e pazgjidhura është një qëllim i qartë ku BE-ja mund të ofrojë mbështetje, mirëpo në kryeqytetet e rajonit duhet të tregohet vullnet politik fondamental.

Ngjarjet e këtij viti na rikujtojnë se sa qenësor është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Evropian edhe për një arsye tjetër. Evropa po ballafaqohet me krizën më të rëndë të refugjatëve që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, dhe nga kjo po preket i tërë kontinenti ynë. Asnjë vend nuk mund të pretendojë të adresojë një çështje të tillë të jashtëzakonshme i vetëm; secili vend duhet ta luajë rolin e tij në këtë sfidë të përbashkët. Ne kemi nevojë për një reagim të koordinuar të BE-së dhe për nivelin më të lartë të bashkëpunimit në mes të Unionit tonë dh fqinjëve tanë. Ne jemi të gatshëm për të rritur mbështetjen dhe ndihmën e madhe financiare për partnerët tanë, për t’u ndihmuar atyre në ndërtimin e kapaciteteve për kontroll kufitar dhe në luftimin e kontrabandimit me njerëz. Mirëpo, ata duhet po ashtu të bëjnë punën e tyre drejt në trajtimin e krizës.

Deri më tani, debati evropian për migrimin shumë shpesh ka rezultuar në një lojë faji të padobishme. Duhet të ndalojmë së treguari me gisht për njëri tjetrin dhe duhet të punojmë së bashku që të gjejmë zgjidhje të  përbashkëta.  Kjo nuk mund të shtyhet më shumë: është në rrezik jeta dhe dinjiteti i aq shumë njerëzve që ikin nga lufta, varfëria, persekutimi. Askush nuk avokon për hapjen e zonave kufitare të BE-së. Mirëpo, ne mbajmë përgjegjësi për këta njerëz. Dera e Evropës nuk mund të mbyllet para refugjatëve, ekzilit, dëbimit.  Nëse kjo ndodh, atëherë nuk është më Evropë.

Menaxhimi i kësaj krize do të jetë një test i  rëndësishëm për BE-në, Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tyre evropiane.

Ky rajon mund dhe duhet të integrohet më tej në rrjetet evropiane. Në përgatitjen e zgjerimit të integrimit me BE-në dhe në BE, ndër-lidhja e këtij rajoni po lëviz para. Transporti duhet të lehtësohet përgjatë rrugëve kryesore. Gjithashtu, rrjetet energjetike duhet të përmirësohen dhe kapaciteti i tyre duhet të rritet.

Ne besojmë se Deklarata e Vjenës, që parashihet të aprovohet sot në Samit, do të dërgojë një mesazh të fortë të mbështetjen së perspektivës së BE-së, bashkëpunimit rajonal, ndërlidhjes në rajon dhe përmirësimit të kushteve socio-ekonomike për të gjithë, përfshirë të rinjtë. Asht siç tregon e arritura e fundit në dialogun Beograd-Prishtinë, rritja e rolit të BE-së në Ballkanin Perëndimor mund vetëm të sjell përfitime, si për partnerët tanë ashtu edhe për ne. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë të njëjtën hapësirë dhe të njëjtat interesa – dhe ne besojmë se mund të ndajmë edhe të njëjtën të ardhme evropiane.

Nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian,

Zëvendës Presidenti Maroš Šefcovic, përgjegjës për Unionin e Energjisë në BE

Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikë të Fqinjësisë & Negociata për Zgjerim