Arsyet e vërteta pse Shqipëria është prej 30 vitesh në krizë

Shqipëria  që prej 30 vitesh në krizë politike,ekonomike, demokratike, juridike, mediatike dhe shoqërore. Këtë e verteton  realiteti dhe fakti se shqiptarët kanë 30 vite vetëm sa largohen nga Shqipëria si azilantë ekonomikë, politikë; largohen  prej pasigurisë për jetën, punën ,pronën dhe të asaj ekonomike dhe  juridike si dhe prej  hakmarrjeve të vetëgjyqësisë.

Shqiptarët kanë 30 vite që dëgjojnë, që shohin nëpër TV, që lexojnë nëpër gazeta   prej 30 vitesh lloj-lloj ankimesh, kërkesash,mashtrimesh, justifikimesh e rrenash patriotike e demokratike; dëgjohen  akuza të ndërsjellta të fajshmish e të “pafajshmish” politikanë e pushtetarë injorantë, hajdutë,  sharlatanë e mashtruesish   publik e mediatik; publiku është bajatur edhe prej opinionistëve e analistësve, pasi  po ato fytyra kanë 30 vite nëpër faqet e gazetave dhe nëpër ekranet e televizioneve që përrallisin e llomotisin me po të njëjtat gjëra me të cilat herë mbrojnë e herë bëjnë sikur  kritikojnë si t’ua dëshiron  mideja dhe oreksi i tyre i interesit dhe i parasë. Shqiptarët janë  bajatur prej vizionarëve e fallxhorëve politikë, intelektualë, publikë  e mediatikë pasi pothuajdse që të gjithë janë interesaxhinj, servilë dhe mercenarë të pushteteve, të interesit e të parasë. E gjithë struktura shtetërore, politike, juridike, mediatike  dhe e shoqërisë civile funksionojnë mbi baza e ndërthurje “armiqësirash dhe miqësirash” të pandershme e të paturpshme korrupsioni, hajnije, nepotizmi, servilizmi të ndërsjelltë  etj.

Arësyet pse Shqipëria është në krizë prej 30 vitesh janë dështimi i sistemit, i demokracisë dhe sidomos e kryesisht arësyeja kryesore është dështimi i sistemit të drejtësisë.Drejtësia e Tranzicionit në Shqipëri dështoi sepse ligjin, drejtësinë, shtetin, shoqërinë dhe politiken e demokracinë  i  ka kapur krimi i organizuar, narko-antishteti dhe korrupsioni i oligarkisë politiko-juridike.

Fatkeqësisht po kështu realiteti i drejtësisë është edhe në Kosovë.

Prej 30 vitesh tranzicion Shqipëria nuk doli nga tranzicioni  për arsyen kryesore sepse dhe pasi dështoi tërësisht drejtësia e tranzicionit.

Dështoi drejtësia e tranzicionit sepse ajo mbeti ashtu siç ishte, mbeti drejtësi politike, e kapur dhe që i shërbeu politikës edhe pas komunizmit. Reformat në drejtësinë e tranzicionit ishin të   tilla që cilado parti politike që mori pushtetin regjimi i saj kapte , emëronte dhe e zgjidhte  e caktonte   gjyqtarët e prokurorët dhe organet e sistemit të drejtësisë; apo i detyronte, urdhëronte dhe i kërcënonte për largim nga puna e gjyqtarit e prokurorit ata të cilët kishin guximin për mosbindje e mosshërbim ndaj politikë dhe ndaj pushtetit politik që rastisnin që  të kishin pushtetin.

Drejtësia e tranzicionit në Shqipëri dështoi  sepse ligjet parlamentare dhe vendimmarrjet qeveritare ishin të mirëllogaritura për t’u shërbyer dhe për të përfituar prej tyre vetëm pushteti e politika, pra, si ligje që favorizonin grupin më të madh të interesit që është qeveria, administrata dhe interesat personale të tyre, si ligje të cilat ishin afatshkurtëra dhe që më shumë apo terësisht shkaktuan probleme juridike, shtetërore, ekonomike, korruptive, kriminale kundërintegruese si dhe çrregullime e keqfunksionime ligjore e demokratika sa që në disa raste  shteti shqiptar  ishte buzë greminës , ashtu sikurse është gjëndja realisht edhe sot, Shqipëria në prag të falimentimit kombëtar kryesisht prej dështimit të ligjit dhe të drejtësisë..

Drejtësia e tranzicionit në Shqipëri dështoi pasi ajo u bë palë me politikën e korruptuar dhe të kriminalizuar, u bë palë me krimin ordiner, të korrupsionit dhe të drogës; u bë palë me vjedhjen dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar. Drejtësia në Shqipëri u shndërrua në një   korporatë shumë e fuqishme juridike, financiare dhe ekonomike me lidhje piramidale kapilare mafio-oligarkike me pushtetin, politikën  dhe me krimin.

 Sistemi gjyqësor në Shqipëri mbeti nën kompetencën e drejtësidhënies prej  ishgjyqtarëve dhe prokurorëvë të regjimit komunist, të cilët ishin avokatët e krimeve të komunizmit, mbrojtësit e luftës kriminale të klasave, avokatët ligjorë të përsekutimit politik dhe ideologjik të shqiptarëve, vendimdhënësit e burgosjeve, pushkatimeve dhe të internimeve.

Këta gjyqtarë në demokraci, pasuesit e tyre si dhe “të rinjtë” e keqarsimuar ne universitete shteterore e private me dije te blera,  gjyqtarë të injorancës juridike, demokratike dhe amoraliteti korruptiv i tyre ligjësuan krimin dhe korrupsionin  juridik, vjedhjen , grabitjen , ligjësuan paranë e krimit, drogës dhe korrupsionit prej të cilave ata u bënë oligarkia juridike financiare më e fuqishme në Shqipëri, sa që e ka shumë të vështirë edhe VETTING-u për ta luftuar atë.

Këto ishin dhe arsyet kryesore se përse ndërhynë me vendosmëri dhe këmbëngulje SHBA dhe BE  të cilët e detyruan politikën shqiptare për miratmin e VETTING-ut , si i vetmi mjet dhe e vetmja reformë që mund ta çmontojë këtë sistem kriminalo-politik të sistemit të korrupsionit në drejtësi të montuar në Shqipëri.

Sistemi i drejtësisë së tranzicionit në Shqipëri dështoi pasi drejtësia e tranzicionit nuk hetoi dhe as nuk ndëshkoi krimet e komunizmit , as autorët e tyre; nuk bëri minimalisht as lustracionin politik e juridik , por  la dhe u dha atyre të drejtën e ushtrimit të profesionit të gjyqtari e prokurorit, si dhe vijuan  politikën  dhe qeverisjen  ishpërgjegjësit, persekutoret dhe ekzekutorët e krimeve dhe të padrejtësive që u ishin bërë shqiptarëve gjatë regjimit komunist.

Për këtë kanë deri diku faje edhe ndërkombëtarët të cilët nuk ndëhynë në kohën e duhur për ta detyruar politikën paskomuniste në Shqipëri për të bërë reformën e VETTING-ut më herët, për të bërë një ligj lustracioni dhe dekomunistifikimin e sistemit, por u la dhe u tolerua për një kohë 30 vjeçare , e për pasojë  drejtësia në Shqipëri vetëm sa u perkeqësua, u kriminalizua dhe u korruptua në përmasa të jashtëzakonshme dhe që ndërkombëtarët reaguan pasi dhe kur drejtësia shqiptare u bë edhe shqetësim ndërkombëtar  si problem madhor e kryesor për  mosintegrimin e Shqipërisë.

Drejtësia dhe sistemi i tranzicionit dështuan në dëmshpërblimin e atyre të cilëve u ishin shkelur liritë dhe të drejtat njerëzore nga shteti totalitar komunist, si dhe në kompensimin dhe kthimin e pronës të të shpronësuarve nga reformat socialiste.

Drejtësia e tranzicionit dështoi edhe moralisht pasi ajo manipuloi me të drejtën , me ligjin dhe me të vërtetën. Pra me pak fjalë drejtësia e tranzicionit dhe tërë tranzicioni në Shqipëri dështoi pasi ajo fuksionoi si drejtësi që manipuloi, vodhi ,shiti e nxori në ankand vëndin, shtetin,  liritë dhe të drejtat civile njerëzore, kryesisht së pari atë të pronës. Po kështu duke qenë si e tillë ka dështuar drejtësia edhe në Kosovë.Dështimi  drejtësisë ka  çuar  në prag të falimentimit edhe të shtetit e të shoqërisë në Shqipëri.

Populli i Kosovës duhet të jetë aktiv dhe vigjilent që të mos  lejojë që edhe në Kosovë gjëndja të precipitojë si në Shqipëri. Fatmirësisht mediat në Kosovë nuk janë si këto në Shqipëri. Ky është një tregues pozitiv demokracie pasi mediat kosovare, me përjashtim të ca prej tyre, ato në përgjithësi janë opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë e guximshme kundër të këqijave publike e kombëtare si të politikës në  Prishtinë ashtu edhe asaj në Tiranë.