Arki-kujtesa Bibliotekare, Kosova dhe Realiteti

Flamur Maloku

Shkrimet e ndryshme dhe dokumentat gjithnjë kanë qenë faktorë kyç për të shërbyer si njohje e tematikës, por edhe si një arki-kujtesë, ku është ngujuar qytetërimi dhe fati i qenies. Dokumentat e shkruara paraqesin historinë, realitetin, ekzistencën e një vendi, popullin e tij në të gjitha dimensionet, jetësinë e atij populli në çfarë do mënyre qoftë.

E rëndësishme është që ndodhitë, ngjarjet që kanë ndodhur, gjithnjë të jenë të shkruara me vërtetësi dhe pa anshmëri, për t’i shërbyer përherë kujtesës kolektive nëpër shekuj. Kjo sintagmë e memorjes dokumentare ka mbajtur gjallë, një komb, një popull, duke u bërë shenjë identifikimi, fuqi ekzistuese edhe për kodin nacional, tematikën nacionale, kujtesën, si një efekt i sublimitetit të atyre ideve, ngjarjeve e ndodhive, që burojnë nga vlera shpirtërore e këtij populli, si përjetim, si histori e dëshmi tij, e plazmuar në rrafshet kulturore të shumëfishta.

Njohja më e përafërt e karakterit, e botëkuptimeve dhe e kulturës së një populli, ravijëzohet dhe perceptohet pikërisht nga ky dimension, për shkak se dokumentat e lëna, tashmë si kujtesë nëpër breza të ndryshëm, e kanë paraqitur shpirtin dhe me shpirtëroren e atij populli, sepse shpirtëroren e përafrojnë, ose e bëjnë Një me thelbin e domethënies së ekzistencës së një populli, e kjo ndodh, vetëm atëherë kur ekzistenca ka dëshmi të dokumentuara nëpër kohë të ndryshme.

Pra, këtë fije të rrezatimit ekzistencial nga shpirtërorja e popullit e lidhim me historinë e tij, ose përgjithësisht provojmë ta lidhim me të. Pa një lidhje të këtillë, organike dhe të përhershme, harrimi do ta mundë kujtesën, siç ka ngjarë me disa gjuhë dhe popuj në botë. Ndaj për ta vrarë harresën, me gjasë shuarjen e sigurtë, ne duhet të dëshmojmë praninë tonë, madje të rrëfejmë nëpërmjet dokumentave. Duke rrëfyer, gjithnjë me vërtetësi, e paraqesim atë që kemi përjetuar në kohë e hapësirë.

Nëse këtë e bëjmë me vetëdije dhe dëshmi të njëmendta, kujtesa bëhet një ruajte e të dhënave, mos harrim për të dhënat e rrëfyera në dokumenta e libra, mbi hartat, monumentet, ngjarjet politike, shifra, pra, dëshmi unike. Duke qenë të vetëdijshem mbi këtë premisë, në fakt jemi duke njohur shpirtëroren e popullit tonë, ekzistencën e tij objektive, klithmat, gjëmat, ovacionet, gazin e triumfeve, dhimbjet nga humbjet dhe gjithçka që vjen nga kujtesa e shpirtit të popullit.

E gjithë kjo, sipërmarrje e dëshmisë së ekzistencës, të jep përshtypjen se, nocioni i kulturës, qytetërimit dhe ngritjes së shkallës së intelektit, mbajtjes gjallë të kujtesës, lidhet me simbolin e librave dhe dokumentave. Mund t’ju kujtohet një fragment nga romani “Katedralja e Parisit”, i Viktor Hygosë, kur njëri prej personazheve drejton gishtin, duke aluduar në forcën e librit se: “Ky (Libri) do ta rrënojë gjithçka”. Figura e tillë, del të jetë filozofia më e qëndrueshme e thënë ndonjëherë, rreth forcës së dijes, rreth forcës së librit, pra shkrimit të dokumentuar. Ju kujtohet? Gjithë kulturat, gjithë qytetërimet e botës, gjithë shenjat e civilizimit janë shënuar dhe shënohen me simbolikën e librave apo dokumentave, ku gdhendet historia dhe fati i qenies. Fillimet e letërsisë, kulturës, prekin një periudhë 4000 vjet para erës së re, me Epin e Gilgameshit, që hodhi themelet e kujtesës së librit.

Në qarkun e Evropës, Mitologjia Greke prek shekullin e IX-të, para erës së re, me simbolet e para të qytetërimit, librat, madje duke skalitur gjinitë kryesore të letërsisë. Me këtë, kujtesa e popullit duhet të jetë aktive dhe afër realitetit. Dokumentat paraqesin një të vërtetë të ndodhur. Ajo ndodhi e shkruar reflekton në mendjen e popullit, i cili ka qasje me shkresa të shkruara si dëshmi, të cilat nuk lejojnë të shlyhet ndonjë gjë nga kujtesa. Një mbajtje gjallë të kujtesës e ka edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, duke bërë një Arki-Kujtesë nacionale, duke grumbulluar e ruajtur, atë që populli e shkruan, e rrëfen në forma të ndryshme.

Kjo gjë, Bibliotekën Kombëtare e ngre dhe e bën figurë të veçantë, një shenjë e veçantë shpirtërore e Arki-Kujtesës nacionale, një pasqyrë që reflekton vlerat kulturore dhe madhështinë e shpirtërores. Këtë e themi nga shenjat e prekura, nga titujt, dorëshkrimet që Biblioteka Kombëtare i ruan në gjirin e saj. Vetëm këto dokumenta, libra dhe rrëfime, sjellin në kujtesën e qenies njerëzore, realitetin e ndodhur vite më parë në Kosovë. Rrëfimet janë të shumta, përjetimet e faktet janë dokumenta, kujtesë për historinë tonë, gdhendur në shkronja.

Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte libra të dokumentuara, të mbushura me fakte për kohën e ligë të Kosovës, pra për vitet e luftës 1998-1999? Si do të mund të dinim të vërtetën, tragjike dhe heroike, a do të shërbente në të mirë të popullit mosnjohja e këtij fakti? Aspak! Prandaj është absolutisht e arsyeshme, kur thuhet se mungesa e librave e dokumentave të tjera, çon drejt një shlyerje të kujtesës. Ndaj shlyrja e kujtesës është vdekje e ngadaltë e atij populli, sepse vetëm e shkruara e mban gjallë Kujtesën, sepse e shkruara bëhet shenjë identifikuese, reference indetifikuese për kohën, urë komunikimi me botën e qytëruar.

Të kesh dokumente të shkruara e të mbushura me fakte do të thotë t’i ofrosh njerëzve realitetin, historinë, kujtesën. Në këtë aspekt, Kosova ka më së shumti nevojë për dokumenta e dëshmi, sepse jemi vend që s’kemi shumë kohë që sapo dolëm nga koha e ligë, pra nga lufta, dhe gjeneratave të reja u duhet kjo kujtesë në të ardhmen për të shkuarën, pra dokumentat mbeten ato që mundësojnë një gjë të tillë për mos shlyerje të kujtesës. Një kujtesë e mirë për të shkuarën, do të thotë një jetë për të tashmen dhe për të ardhmen.