A po rrezikon Kosova vëmendje të padëshiruar në Washington DC?

Shkruan: Ramadan Ilazi

Shumica prej nesh ndoqën ngjarjet e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, rreth procesit të “impeachment” nga Kongresi Amerikan ndaj Presidentit Trump. Ajo që ra në sy në këtë proces ishte çështja e Ukrainës, e cila ishte në qendër të zhvillimeve dhe u zhyt në politikën e brendshme Amerikane duke u bërë një arsye/shkak për sulme politike midis demokratëve dhe republikanëve për shkak të veprave të dyshuara që ndodhën në vend nga individë të lidhur politikisht nga SHBA, si dhe qasja e administratës amerikane ndaj Ukrainës për çështje që lidhen me sigurinë. Kështu, Ukraina rrezikoj mbështetjen bipartizane që e kishte dhe dëmtoi seriozisht edhe perceptimin për të. Përkrahja bipartizane është shumë e rëndësishme sepse siguron mbështetje të qëndrueshme dhe koherente. Për vendet ku mbështetja e SHBA-së është jetike, përfshirë Kosovën, ka diçka të tillë si ‘vëmendja e padëshiruar’ në Washingdon DC, dhe kjo ka të bëjë pra me shmangien e bërjes arsye/shkak për sulme politike midis demokratëve dhe republikanëve, me fjalë të tjera, duke evituar përfshirjen në politikën e brendshme. Në këtë kontekst, ekziston një mësim shumë i rëndësishëm dhe urgjent që Kosova të mësojë.

Republika e Kosovës gëzon mbështetje të fuqishme dypartiake në SHBA dhe ruajtja e këtij statusi ose pozicioni është thelbësor për Kosovën, për përfundimin e procesit të ndërtimit të shtetit si dhe për të ardhmen e saj euro-atlantike. Pavarësisht se cilat janë bindjet e juaja politike në Kosovë, sulmet e orkestruar dhe të organizuara kundër administratës aktuale mund të sjellin pasoja serioze dhe të pakthyeshme për vendin tonë, sepse rrezikojmë të na shtyjnë në politikën e brendshme atje, ku ne bëhemi një arsye për sulme politike midis aktorëve politikë në Washingdon DC. Tashmë ne po shohim media të rëndësishme dhe me dnikim, të tilla si “The Hill” që shkruajnë artikuj mbi gjoja se si SHBA po rrëzon qeveritë në Kosovë. Ky lloj i akuzave është shumë serioz dhe si i tillë mund të përdoret lehtësisht nga operativët politikë në SHBA për të krijuar sulme politike. Tutje, opinion-bërësit ndërkombëtar po shfrytëzojnë mundësinë e krijuar nga toni politikë në Kosovë për të sulmuar dhe zhvlerësuar SHBA-të, kinse në emër të mbrojtjes së demokracisë në Kosovës, por dyshoj se motivet e tyre nuk janë të pastra. Sido që të jetë mendimi juaj për këtë, është e gabuar të lejojmë që Kosova të bëhet një shkak për çfarëdo lloj sulmi kundër një qeverie në Washington DC, edhe nëse në mendjen tuaj ju jeni vetëm duke sulmuar ‘individë’ të administratës.

Zyrtarët publik në Kosovë i kanë bërë jehonë këtyre sulmeve kundër administratës aktuale. Duke vepruar kështu, në dukje nga besimi se ata po sulmojnë vetëm individë dhe disi kjo është shkëputur nga administrata shtetërore ose imune nga efektet e mundshme politike, tregojnë se ata kanë një kuptim shumë të dobët të politikës amerikane dhe në përgjithësi të marrëdhënieve ndërkombëtare. Për shembull, ka anëtar të Kuvendit të Kosovës që haptazi sugjerojnë se administrate amerikane paska një agjende malinje apo të dëmshme kundrejt Kosovës. Kjo është qasja e gabuar dhe vetëm Kosova do të humbasë. Nuk ka absolutisht asnjë nevojë për të djegur ura, veçanërisht ato thelbësore, edhe nëse nuk doni t’i përdorni ato tani. Spektri politikë i Kosovës si dhe qeveria e sajë duhet të ndalojnë promovimin e narrativit se gjoja roli i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi mund të prodhoj një zgjidhje katastrofike për vendin.

Nëse tendenca e tanishme e sulmit ndaj administratës amerikane nuk ndalet, dhe zyrtarët e lartë të Kosovës duket se me vullnet e sulmojnë administratën aktuale, ekzistojnë rreziqe serioze që Kosova të fillojë të marrë llojin e vëmendjes që duhet të shmangim në Uashington DC, duke u bërë edhe pjesë e politikës së brendshme atje. Nëse kjo ndodh, do të zhbëhen dekada investimesh në aleancën amerikane dhe do ta vendos vendin tonë në një mjedis më pak të qëndrueshëm dhe të sigurt. Do të ishte dështimi më fatal i politikës së jashtme të Kosovës.

Asnjë konflikt apo mosmarrëveshje bilaterale në Ballkan që buron nga shpërbërja e dhunshëm e Jugosllavisë nuk është zgjidhur pa SHBA dhe bashkëpunimin me BE. Suksesi më i fundit ka qenë në Maqedoninë e Veriut, ku SHBA luajti një rol kryesor, së bashku me BE-në, në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë, dhe rezultatet ka qenë i menjëhershme pasi vendi u bashkua me NATO-n.

Qasja e politikës aktuale nuk mund të jetë një lojë bixhozi me rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA me shpresën për të ndryshuar pozicionin e administratës ndaj Kosovës, çfarëdo që të thotë kjo. Kjo qasje është e papjekur dhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj Kosovës ka qenë konsistent dhe nuk ka ndryshuar edhe me Presidentin Trump, përkundër shpresës së lartë në Serbi që të ndodhë diçka e tillë. Në një politikë të jashtme të dominuar nga realpolitika dhe cinizmi, themeli më i sigurt për qëndrueshmëri dhe përparim të shtetit të Kosovës, është në aleancë më të fortë me SHBA-në, pavarësisht se kush është në pushtet në Washington DC.

Kjo gjithashtu nuk do të thotë që ne duhet të zgjedhim SHBA-në mbi BE-në. Ky lloj narracioni është aq i rrezikshëm, saqë kërkon ta vendosë Kosovën në një dilemë si ajo që Serbia ka që duket se është e pavendosur në lidhje me aleancat që kërkon të formoj për të ardhmen e sajë. Kosova gjithmonë ka përfituar duke ruajtur një aleancë të fortë Euro-Atlantike, dhe kjo qeveri do të këshillohej mirë që të vazhdojë kështu, pa mbjellë farat e mosmarrëveshjeve mbi Kosovën në Washington DC. Për efektet e politikës ditore në Kosovë, ne nuk duhet të rrezikojmë aleanca strategjike duke promovuar një diskurs shumë përçarëse kundër administratës amerikane.

Autori është kandidat për doktoratë në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Dublin City University (DCU)