A ju qiti shehri’ në selamet’?

Jeta Berisha

Kanë ardhë ditë nga ato që njeriu i quan të vështira. Ditë që pagëzohen nga njerëzit e mesditës, nga gënjeshtrat dhe thumbimet demokrate.

Dikur, jo shumë kohë më parë, gjëja më e rëndësishme ishte shoqëria dhe ambienti ku duhej të përshtatej, njerëzit bënin të pamundurën për ta parë njeriun të lumtur, shoqëria ishte e angazhuar tërthorazi për të emancipuar qenjën më të përsosur që ka krijuar natyra.

Ndërsa, sot, tradita dhe e mira kolektive është hedhur në një kosh plehrash si një gjë e pavlerë dhe e pabazë.

Sot, gumzhijnë vetëm motorët e makinave të shtrenjta, false apo origjinale të cilat po e ndajnë qytetërimin dhe fshatarëllëkun me referenca diskriminuese.

Rrëfimet dhe bisedat shoqërore tashmë quhen thashetheme, ndërsa gënjeshtrat dhe intrigat quhen lajme vendimtare për të ardhmen e një vendi.

Demoralizimi shoqëror është integruar si një proces i pashkëputshëm dhe nga mërzia apo mos dëshira për ta parë realitetin, njerëzimi po e fundos veten në mjerim.

Kategoritë që dikur kanë bërë ndasi shoqërore e që kokat e guximshe u munduan t’i shfarosin, sot janë më trendi se kurrë.

Durimi nuk po shpaguhet siç e do e moralshmja, ndërsa djersa e vetme që mund t’i pikojë një punëtori është nga një kondicioner i prishur, së këtu krejt e kanë marr shtruar dhe aspak me ngutë .

Fuqia punëtore po bie dita-ditës, ani pse bota çdo ditë e më shumë po zhvillohet…

Një sferë magjike e rrethuar nga enigma që duket e përsosur nga gjithësia, por që të zhgënjen në thellësia.

Ekologjia më nuk është IN, burimi i energjisë është IN. Natyra është për shkretët dhe të pafatët, ndërsa qyteti i ndërtuar kat-kat është për zotërinjtë dhe zonjat që janë magjepsur nga ideologjia digjitale.

Ç’është ky shfrenim shekullor, kush e ka ideuar një plan të tillë për ne? Kush po luan me kartat e pushtetit dhe kush po e shfarosë identitetin njerëzor?!

Kalimthi sot nga Gërmia, u shkriva mbi atë gjelbërim hyjnor! Por, të gjithë ata vizitor po harronin të lundronin në thjeshtësinë e mendimit pasi që tabakët me kafe dhe telefonët intelegjentë po i robëronin, pa një, pa dy.

E sot, pyetja ime është kujt me i besu?

A me pretendu që duhet me besu, apo thjesht me i m’shelë sytë e veshët, e veç me nuhatë aromën e keqe të gënjeshtrës.

Ndërsa, na kompozohen muhabetet bajate që prezantohen si cilësore, unë sot jam kundër gjithë këtij egozimi shoqëror.

“Katundar, bal, zdral, gja” etj etj, janë fjalët më të përdorura në fjalorin e një qytetari që i thotë vetes sheherli.

E këta që e kullojnë gjanë, që e korrin tokën, e me një fjalë që ta mbajnë shpirtin me bukë e mushkëritë me ajër, ulin kokën turpshëm të përbuzur nga puna që bëjnë.

Të gjithë i janë turr qytetit, e po mendojnë që kanë me gjetë lluksin e Nju Jorkut me një rrogë minimale prej 250 eurosh.

Fshatrat janë boshatisë, gjithçka që ka mbet atje, janë shtallat e zbrazura, shtëpitë e pabanueshme, toka që po vdes nga dëshira për t’u punuar dhe ajri i pastër.

Kush është ai person që nuk e do një vilë të vogël për një vikend pushimi në fshat? Kush nuk u ngopë nga qyteti, trafiku dhe shikimet vrastare të “sheherlive”?

E ju që po i lini të gjitha për të marr një kredi marramendëse për një banesë pa leje midis qendrës të Prishtinës? Me ju çka po ndodhë?

Kush ja ka humbë hijeshinë fshatit, e e quan punën të lodhshme, veç një “katundar” i Prishtinës!

Prishtina ime që dikur më përkundte dëshirën për të pasur moshën që kam tani, sot po më zbrazë zorrët nga tymi dhe pluhuri. Qyteti që më ka rritur sot është shndërruar në një epiqendër dëshpërimi.

Pasha qat’ shesh të gjerë që kuntërbon nga kanalizimi, e vërshohet sa herë bie shi! Pasha gjithë ato kafiteri që nuk përcollën kurrfarë mesazhi nëpër gjenerata!

Ejani shfrenohuni një vikend në Prishtinë ose ejani thjesht shkollohuni në Prishtinë, se lezet tjetër s’ka mbetë!

Merreni shatin e kacijat, mblidhni djemtë e bijat, tregojini nipave e mbesave se pasuri ma të madhe në botë s’ka se toka e punuar.

E krejt në fund, për çka kanë luftu serbët në Kosovë? Për me ta marr tokën e plleshme apo për t’u bërë qytetarë të Prishtinës?