Sot dhe nesër ditët më të nxehta, mësoni si t’i tejkaloni pa probleme

Temperaturat e larta kanë arritur edhe në Kosovë.

Meteorologët parashikojnë se e mërkura dhe e enjtja do jenë ndër ditët më të nxehta, temperaturat do arrijnë 34 gradë celsius.

Për KosovaPress, meteorologu Mendim Rugova ka deklaruar se do ketë temperatura të larta por jo sikur ato të valës së nxehtë që kanë kapluar Evropën.

Ndërkohë mjekët japin këshilla se si të tejkalojmë këtë gjendje.

Basri Lenjani, drejtor në Emergjencë këshillon që nga ora 11:00 deri në 17:00, fare mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit, sidomos personat me probleme shëndetësore, meqë gjendja e tyre mund të përkeqësohet.

Thotë se duhet të përdoren sa më shumë lëngje, sidomos një ose 2 litra në ditë dhe duhet konsumuar ushqime me karbohidrate dhe vitamina dhe sa më pak ushqime që përmbajnë yndyrë.

Për të përballuar më lehtë të nxehtit, rekomandohen veshje me ngjyra të hapura, meqë e mbyllta akumulon të nxehtit.

Në disa pjesë të vendit, sot edhe mund të ketë vranësira.

Ndërkohë, të premten do të jetë mot i nxehtë, kryesisht me diell. Pasdite rreth viseve malore në perëndim të vendit, mundësi për riga lokale shiu.

Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje pak mbi vlera mesatare. Minimalet do të luhaten nga 15C deri në 17C, e maksimalet nga 30C deri në 32C.