Letra prekëse e Esielës që humbi jetën nga tërmeti bashkë me të ëmën dhe gjyshen do t’ju përlotë

Pasojat e tërmetit fatal, mëngjesin e 26 nëntorit të vitit që lamë pas, ndoshta nuk do të kalojnë për vite të tëra! Sidomos për ata që humbën më të dashurit e tyre, familjarët, të afërmit nën rrënoja, dhimbja do të jetë gjatë në zemrat dhe mendjet e tyre.

E ndjera, piktorja Diena Karanxha, ndonëse me trup luftoi për orë të tëra për të mbrojtur vajzën e saj Esiela, nuk mundi dot t’i shpëtojë fundit tragjik bashkë me të ëmën, pasi pallati ku ato banonin në Durrës u shemb i gjithi.

Një nga historitë më të dhimbshme, që ka bërë jehonë në të gjithë median shqiptare, edhe për një tjetër fakt: Diena vetëm pak vite më parë kishte humbur të shoqin nga ataku kardiak.

Por, vetëm dy muaj përpara tërmetit, Esiela e vogël kishte vendosur t’i shkruante një letër emisionit “Dua të të bëj të lumtur” me dëshirën e vetme që të surprizonte gjyshen e saj. Fatkeqësisht ëndrra e saj nuk u bë kurrë realitet, por moderatorja Arbana Osmani zbuloi mbrëmë përmes rrjeteve sociale se letra prekëse e Esielës së ndjerë do të jetë një prej atyre që do të lexojë të shtunën, kur edhe zyrtarisht nis sezoni i ri i “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel.

Letra e plotë:

Emisionit “Dua të të bëj të lumtur” Unë që po ju shkruaj quhem Esjela Karanxha dhe jam 8 vjeçe. Dua të të bëj të lumtur gjyshen më të mirë në botë, atë që më ka rritur me shumë dashuri, nënën time Rozetën. Ajo është gjithmonë me mua, s’më ka lënë kurrë të mërzitem që kur babi iku lart në qiell. Mami qan shumë, por ajo më thotë që ju më keni mua dhe ne babi na sheh nga lart dhe lutet për ne. Unë e dua shumë gjyshen time. Për vitin e ri 2019, ne e festuam dhe unë i këndova nënës këngën tonë të preferuar të Kejsi Tolës “Ti më ke mua”. Unë dua t’i them që ti gjithmonë do të më kesh pranë dhe kur unë të rritem do të jem gjithmonë me ty.

17 shtator 2019

Fjalët mungojnë pasi lexon këtë letër kaq të ndjerë  një ëngjëlli që u shua tragjikisht në krahët e nënës dhe gjyshes, mëngjesin e 26 nëntorit!