A munden sytë të tregojnë inteligjencën?

Sytë janë cilësuar si pasqyra e shpirtit, të cilët mund të tregojnë shumë për gjendjen tuaj shpirtërore.

Disa studime kanë treguar se shikimi i një personi në sy mund të krijojë ndjenja të thella të intimitetit, shkruan “TopChannel”.

Por, përveç këtyre, tani duket se shikimi i syve të një personi mund të zbulojë edhe diçka krejtësisht të papritur: nivelin e tyre të inteligjencës.

Në këtë studim të ri, psikologu Jason S. Tsukahara dhe kolegët e tij kanë zbuluar një lidhje pozitive mes madhësisë së bebëzave dhe aftësive kognitive.

Por nuk duhet harruar fakti se bebëzat zmadhohen edhe kur syri ka nevojë për më shumë dritë.

Sidoqoftë, cila është lidhja e një bebëze më të madhe se mesatarja me inteligjencën?

Siç duket, ndryshimet në madhësinë e bebëzës ndodhin si pasojë e shumë rrethanave të cilat jo gjithmonë mund të kenë lidhje me ndryshimet në nivelet e dritës.

Se madhësia e bebëzës është e ndërlidhur me inteligjencën, tregojnë edhe studimet që kanë filluar në vitet e 1960’ta të cilat kanë deklaruar se madhësia e bebëzës i pasqyron proceset e brendshme mendore.

A do të thotë kjo se njerëzit me bebëza më të mëdha kanë mendje më aktive?

Është e mundur, por siç do t’ju thoshte çdo shkencëtar serioz, ndërlidhja jo domosdoshmërish tregon diçka të saktë.