Zenka: Vota për Gjukanoviçin, votë për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit

Ministri shqiptar i qeverisë së Malit të Zi, Mehmet Zenka, ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për thirrjen që ky i fundit i ka bërë shqiptarëve në këtë shtet, për ta mbështetur me votën e nesërme kandidaturën e Milo Gjukanoviçit për president.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Alo Mirëmëmngjesi’ të Radio Dukagjinit, ministri Zenka ka  vlerësuar sugjerimin e Haradinajt duke thënë se forcat properëndimore në Mal të Zi çmojnë këtë mbështetje të Kosovës zyrtare.

“Ftesa e kryeministri Haradinaj që shqiptarët e Malit të Zi të votojnë për kandidaturën e Milo Gjukanoviç për president të Malit të Zi, është përkrahje për shqiptarët dhe të drejtat e tyre në Mal të Zi. Është një sugjerim tejet pozitiv që duhet ta dëgjojnë shqiptarët e Malit të Zi. Në fund të fundit është edhe një vlerësim i Kosovës, Prishtinës zyrtare për Milo Gjukanoviqin i cili iu gjend pranë Kosovës në vitet më të rënda të luftës por edhe në pranimin  e shtetësisë.”

Zenka i Unionit shqiptar në Mal të zi, ka përmendur më tej rëndësinë që ka për shqiptarët fitorja e mundshme e nesërme e z.Gjukanoviç.

“Përkrahja e Gjukanoviqit është përkrahje për NATO integrime. Fitorja e Gjukanoviq do të jetë edhe një hap më larg politikës ruse. Mos harroni në Mal të zi kemi situatë me dy fronte. Nuk  ka mes, thjesht. Është krahu serb dhe është krahu pro perëndimor malazez I cili përkrahet nga shqiptarët.”-thotë ministri Zenka.

Ministri shqiptar i Qeverisë malazeze Mehmet Zenka garanton Kosovën se me fitoren e Gjukanoviçit për president, Mali i Zi do të mbajë fjalët ndaj Kosovës sa i përket çështjes së demarkacionit, duke respektuar Marrëveshjen Bulliqi dhe firmat e dy presidentëve.

“Ju garantoj që vota për Milon është edhe një votë për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit sipas zhvillimeve të fundit që ka pasur Kosova. Mali i Zi edhe deri më tash e keni parë se nuk është përzier por më shumë ia ka lënë Kosovës që çështja të zgjidhet brenda për brenda dialogut. Po të fitonte krahu serb çështja e demarkacionit do ishte seriozisht problem edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi.”-përfundon ministri shqiptar i qeverisë së Malit të Zi, Mehmet Zenka.