Zeka thotë se Lladrovci kishte shantazhuar Thaçin për një vrasje (Video)

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka ngritur akuza të rënda ndaj kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, për të cilin thotë se ishte bërë ambasador në Shqipëri dhe më pas kryetar komune, duke e shantazhuar presidentin Hashim Thaçi për një vrasje gjatë luftës. Lladrovci i është përgjigjur Zekës duke i thënë se është duke ngritur padi për shpifje ndaj tij, dhe se më vonë i ka dy fjalë me të, siç ai e quan ‘Rado Mila’.

Milaim Zeka tha se Ramiz Lladrovci e ka shantazhuar presidentin Hashim Thaçi për një vrasje, vrasjen e Beadin Hallqit, shkruan gazetametro.net.

“Kam thënë se me shantazhe është bërë ambasador, me shantazh është bërë kryetar komune. E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e asaj se presidenti Thaçi pas lufte e ka akuzuar Lladrovcin, si njërin nga keqpërdoruesit më të mëdhenj të ‘Fondit Vendlindja Thërret’”, ka sqaruar Zeka.

Ndaj kësaj ka reaguar kryetari Lladrovci, i cili thotë se këto janë shpifje të Milaimit, të cilin ai e quan, tellall që s’ka të ndalur!

“Pretendimet e mia se mbrëmë, Milaim Zeka ka shpifë, dhe do ta padis, ka nxitë gjithë vrerin e këtij tellalli, duke zgjeruar shpifjet me personazhe e personalitete tjera të jetës publike. Sqaroj opinionin dhe personalitetet dhe familjarët e tyre, të apostrofuara nga Milaim Zeka se kurrë në jetën time as nuk i kam paditur, as akuzuar as shantazhuar”.

“Jam në përgatitje të padisë ndaj Milaim Zekës, i cili në kontekste më negative, përpiqet të njollos jo vetëm të kaluarën time, vëllait tim, por edhe bashkëluftëtarëve të mi. Qartë, po e zbaton misionin që të shpif e të shpif, për të mbetur diçka”, ka thënë Lladrovci.

E gjithë kjo sipas tij, po bëhet aktuale, me qëllim të kriminalizimit dhe mjegullimit të situatës, përpjekje për njollosje të liderëve, uljen e kredibilitetit të udhëheqësve shtetëror, madje edhe të familjeve të dëshmorëve.

“Milaim Zeka, me metodat e njohura, përpiqet të njollos secilin, sepse është i tillë. Plot damka që në thelb e kanë rrenën. Kur të ndalet, Radio Mila, i kam edhe dy fjalë me të!”, ka përfunduar Lladrovci.