VV nuk i përjashton protestat, por mohon ta ketë organizuar të premten

Në rrjetet sociale tashmë është organizuar një event që bën thirrje për protestë masive për të premten, në kundërshtim të krijimit të qeverisë së re në Kosovë, dhe shkuarjes në zgjedhje të reja.

Ndonëse një tubim i tillë është thirrur nga aktivistë të Vetëvendosjes, nga kjo parti po e mohojnë se qëndrojnë prapa organizimit të protestës në fjalë, shkruan lajmi.net.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se partia e tij nuk që ndron prapa këtyre organizimve.

Siç ka thënë ai, ndonëse janë duke marrë pyetje të shumta nga qytetarët, për organizimet e radhës do të njoftojnë në ditët në vazhdim.

Postimi i plotë në Facebook nga Manxhuka:

Prej sot jemi vendosur në çdo qytet të Kosovës në mbledhje të nënshkrimeve për peticionin që kërkesë të vetme ka zgjedhjet e reja. Nga peticioni online tashmë janë bërë mbi 45 mijë nënshkrime ndërkohë që ka një fluks të madh të qytetarëve që po nënshkruajnë fizikisht.

Në anë tjetër ne kemi parë shumë organizime e ‘event’-e nëpër rrjetet sociale për protestë dhe jemi duke marrë shumë pyetje nga qytetarë të shumtë, por ashtu siç jemi deklaruar edhe ditë më parë ne nuk qëndrojmë prapa këtyre organizimeve. Po ashtu, ne i sigurojmë qytetarët dhe anëtarët se në kohë do të njoftohen për çdo organizim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nuk mund të ketë qeveri përkundër vullnetit të popullit e pa zgjedhje, pa legjitimitet e përkundër Kushtetutës. Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë.