VV e LDK në heshtje, a u “shkruan” në Viber sot Kurti e Mustafa?

Në një rrugë qorre ndodhen momentalisht LV e LDK, e nuk dihet nëse koalicioni i premtuar që sa kohë do të bëhet realitet. Njëra prej tyre duhet të heq dorë nga kushtet, në të kundërtën vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zhvillime interesante pati dje gjatë ditës në dy partitë që ka sa muaj që po bisedojnë për të hyrë bashkë në qeverisje. U mendua, se ofertat që u dorëzuan e refuzuan ishin edhe fundi i diskutimeve, e se pak shpresë mund t’i bëjë bashkë përsëri në tavolinë të diskutimit.

Kurti me një letër të gjatë, e me ton që nuk u prit mirë në LDK-ja ua kumtoi këtyre të fundit se nuk heq dorë nga oferta e tij, e që se shkarkon njeriun e dytë në Vetëvendosje, Glauk Konjufcën.

Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër, ofertën e LV-së tha se nuk e merr mundin që ta diskutojnë as në organin më të lartë të partisë, që vendos për koalicionet, Këshillin e Përgjithshëm.

Në përgjithësi, atmosfera e diskutimeve, reflektoi në ndryshim më së miri kur kaloi nga takimet e gjata në Kuvend të Kosovës, ku jepej premtimi se ishin gati për t’u marrë vesh, në shkëmbim letrash e përplasje nga studiot televizive.

Sido që të jetë, presioni ndaj të dyjave, ani pse bashkë nuk i kanë punët mirë, veçse po vjen duke u shtuar.

Presidenti Hashim Thaçi edhe sot i ka kërcënuar me veprime kushtuese nëse nuk e dorëzojnë propozimin. Këtë në VV thonë se do ta bëjnë sipas afatit ligjor. Thirrje për të formuar sa më shpejtë institucionet po bëjnë në vazhdimësi ndërkombëtarët.

Pavarësisht se në Lidhjen Demokratike të Kosovës, disa prej fytyrave kyçe të partisë janë shprehur tashmë të bindur se pak ka shpresë për t’u marrë vesh, sinjale tjera ka dhënë sot nënkryetarja Vjosa Osmani, që ishte kandidate e kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e fundit.

Në një paraqitje para gazetarëve, Osmani tha sot se nuk do të bashkëpunojnë me PAN-it për të shkarkuar Glauk Konjufcën, ashtu si edhe kishte shkruar dje në letrën që Kurti ia nisi Mustafës.

“Përderisa ka vullnet dyert mund të ri-hapen dhe unë shpresoj që të rihapen ato. Kjo çështje po ndryshon në baza ditore, kështu që siç e kam thënë unë gjithnjë synoj të shkoj nga optimizmi dhe po shpresoj që nga sot të dyja partitë të bëjnë hapa pozitiv drejt rihapjes së dyerve të bashkëpunimit, për t’i dhënë një shanse të fundit arritjes së marrëveshjes së koalicionit”, ka thënë Osmani sot para gazetarëve.

Optimiste si Osmani për koalicionin është shprehur edhe deputetja Albulena Haxhiu. Pas publikimit të letrës që Kurti ia ka nisur Mustafës ajo ka shkruar në Facebook se të dy partitë e kanë shansin historik për të bërë ndryshim.

“Kemi shansin historik për ta nisur ndryshimin”, shkroi e njëjta, si thirrje për LDK-në që të ulen e merren vesh.

Në fakt, thirrje bëri dje edhe Kurti në letrën që i nisi LDK-së, e ku i ftoi për t’u takuar përsëri. Mustafa tha se do të takohen vetëm për t’u marrë vesh, e jo për të biseduar nga tre orë, pa epilog.

Deri më tani nuk është caktuar ndonjë takim tjetër në nivel të liderëve. Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa sot ka deklaruar se partitë kanë vullnet për t’u marrë vesh për bashkëqeverisje.

“Unë e kisha cilësuar që jemi ende duke bërë përpjekje për ta arritur marrëveshje për bashkë qeverisje, ekziston ende vullneti në mes të dy partive për të arritur një bashkë qeverisje”, ka thënë Mustafa.