VV e korrigjon ministrin Bislimi: Mbi 10 mijë punëtorë të rinj u regjistruan për të përfituar nga pako emergjente

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar disa statistika interesante që pasqyrojnë edhe manipulimet që kanë bërë bizneset në Kosovë për të përfituar nga pako emergjente e qeverisë.

Ajo që nga ministri i Financave, Besnik Bislimi është paraqitur si ulje e papunësisë në Kosovë, po del të jetë manipulim i bizneseve për përfitim nga pakoja ekonomike.

Në këtë njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se 10,597 punëtorë të rinj janë regjistruar në Kosovë për 37 ditë.

Ky numer sipas LVV mund të rritet ditët e ardhshme, pasi përmes regjistrimit bizneset dhe punëtorët përfitojnë nga masat e pakos emergjente që qeveria e ka miratuar për t’i dalë ballë pandemisë.

Por gjithashtu VV njofton se këta punëtorë kanë 1 vit kontratë dhe mund të ankohen nëse nuk iu plotësohen detyrimet.

“Për një muaj e pak ditë, u regjistruan 10.597 punëtorë të cilët nuk figuronin më parë në regjistrin shtetëror. Ky numër mund të rritet në ditët e ardhshme, pasi përmes regjistrimit bizneset dhe punëtorët përfitojnë nga masat e pakos emergjente që qeveria ka miratuar për t’i bërë ballë pandemisë COVID-19.”, thuhet në njoftimin e VV-së. /Lajmi.net/