Vritet me thikë një 19-vjeçar në Prizren, policia jep detaje

Pasditen e së dielës është therur me thikë një 19-vjeçar në lagjen Tusus në Prizren.

Rreth orës 16:00 të së dielës, një 19-vjeçar në lagjen Tusus në Prizren, është therur me thikë, ku si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Shaban Osmanlloaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, i cili ka thënë se ky rast është duke u trajtuar si “vrasje”.Osmanollaj, po ashtu ka bërë të ditur se janë arrestuar dy të dyshuar për këtë rast.

“Po mund të ju konfirmoj. Ne jemi duke e trajtuar si rast “vrasje”, është një viktimë 19-vjeçare mashkull, nga lëndimi i marrë me armë të ftohtë, thikë, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Aktualisht i kemi dy persona të ndaluar, të dyshuar edhe mjeti që është përdorur në këtë rast, thika, është sekuestruar”, ka treguar Osmanollaj

.Sipas tij, ende nuk dihen motivet e vrasjes, por që dyshohet se gjithçka ka filluar në një përleshje.“Për motivet ende nuk dihet, jemi duke i zhvilluar hetimet, por dyshohet se shkaktar i gjithë kësaj është një përleshje mes tyre”, theksoi Osmanollaj.

Duhet theksuar, se kjo është vrasja e tretë që po ndodh në Prizren, pasi që ditë më parë në shtëpinë e tyre u gjenden të vrarë burrë dhe grua.