Vrasja në Gjakovë, ABGJ kërkon dënim maksimal për përgjegjësitë

Agjencia për Barazi Gjinore-Zyra e Kryeministrit, dënon aktin makabër në Gjakovë, ku një grua dhe vajza e saj 9 vjeçare u vranë brenda ambientit familjar nga bashkëshorti i viktimës, duke thënë se aktet e tilla janë të papranueshme për shoqërinë dhe kërkojnë vëmendjen e shtuar nga institucionet e edukimit, sigurisë dhe drejtësisë.

ABGJ kërkon që forca e ligjit, shtetit të së drejtës, të veprojë ndaj përgjegjësit me dënim maksimal, si dhe të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre personave kompetentë nëse nuk kanë reaguar sipas protokolleve shtetërore për parandalimin e rastit të dhunës në familje.

“Jeta e humbur e çdo gruaje, vajze është humbje për shoqërinë, kapitalin njerëzorë dhe të ardhmen e vendit, është rrezikim i drejtpërdrejtë i sundimit të rendit dhe ligjit të shtetit të cilin me shumë sakrifica po  e ndërtojmë”, thuhet në reagim.