Vjosa Osmani kritikon VV-në për përdorimin e fjalëve serbe

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministre, Vjosa Osmani ka qenë e ftuar mbrëmë në emisionin Pressing të Televizionit T7.

Osmani përballë analistëve ka folur për tema të ndryshme duke filluar nga programi i LDK-së për qeverisje, zgjedhjen e Thaçit president, përdorimin e fjalëve serbe nga Vetëvendosja, rritjen e buxhetit nëse bëhet Kryeministre e deri te krahasimi i Kadri Veselit dhe Albin Kurtit me personalitetet famëkeqe të  Amerikës së Jugut, Pablo Escobarin dhe Hugo Chavezin.

Ajo ka kritikuar përdorimin e fjalëve serbe nga ana e Vetëvendosjes për Bashkësinë e Komunave Serbe të cilët iu kanë referuar me “Zajednicë”.

“Asnjë kontekst nuk na e imponon neve që të thirren ‘zajedncië’, asociacioni, bashkësia”, ka thënë kandidatja e LDK’së për Kryeministre.

Osmani ka kujtuar se kur është votuar Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ajo ka qenë kundër, ndërsa VV’ja nuk e ka kundërshtuar në seancë.

“Sa i përket bashkësisë së komunave serbe. Në vitin 2013, unë kam votuar kundër atij asociacioni, Vetëvendosje ka ikë nga salla e Kuvendit”.

Osmani ndër të tjera ka folur edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e Presidentit me votat e deputetëve të LDK-së në shkurt të 2016.

“Zgjedhja e Thaçit ka qenë gabim i madh dhe koalicioni PDK-LDK nuk ka qenë në pajtim me vullnetin e partisë tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo është përgjigjur në pyetjen se a do ta mbajë fotografinë e Hashim Thaçit në zyrën e saj të Kryeministres.

Ajo thotë se fotografia mund të vendoset diku në ndërtesë, por assesi në zyrën e saj.

“Absolutisht jo në zyrën time. Nuk ka nevojë me ligj të mbahet. Por unë shpresoj se nuk do ta kemi për shumë gjatë Thaçin, por një president apo presidente tjetër”, është shprehur Osmani.

Osmani ndër të tjera në Pressing ka folur edhe për buxhetin që do të ketë Kosova nëse ajo do të jetë kryeministre.

Osmani ka thënë se pret që vendi të ketë rritje stabile ekonomike dhe të rritet prodhimi.

“Synojmë të arrijmë buxhetin 3 miliardë euro”, ka deklaruar Osmani.

Kandidatja për Kryeministre nga LDK-ja ka krahasuar dy rivalët e saj Kadri Veselin dhe Albin Kurtin me personalitetet e Amerikës së Jugut, Pablo Escobarin dhe Hugo Chavezin.

Osmani ka përmendur “Mbretin e Kokainës” nga Kolumbia, Pablo Escobarin, duke e krahasuar me të kandidatin për kryeministër nga PDK’ja, Kadri Veselit.

Së fundmi është bërë virale një fotografi e Veselit me futbollistët e kombëtares, që duket e njëjtë me atë të Eskobarit me futbollistët kolumbianë.

Ndërkaq ajo ka përmendur edhe ish-liderin e Venezuelës që e ka kthyer pushtetin e tij në diktaturë, Hugo Chavez, kur po fliste për kundërkandidatët e saj, me të cilin e krahasonte Kurtin.

Sipas Osmanit, LDK do të qeverisë ‘normal’ dhe me një drejtësi normale’, e jo me Hugo Chavezin e Pablo Escobarin.

“Ne ofrojmë drejtësi normale. Me i ngre zhag njerëzit me pizhama është hakmarrje, nuk është drejtësi”, ka thënë Osmani.