Vetëvendosje e gatshme për protesta, jo edhe LDK-ja e PSD-ja

Lëvizja Vetëvendosje tash e një kohë po shpreh gatishmërinë për të organizuar protesta kundër vendimeve të dëmshme që mund të arrihen në dialogun me Serbinë dhe kundër presidentit Hashim Thaçi si kryenegociator, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë thënë për gazetën “Zëri” që do t’i provojnë të gjitha mundësitë institucionale për largimin e presidentit Hashim Thaçi, por në të njëjtën kohë janë edhe duke punuar për mobilizim të përgjithshëm të qytetarëve, të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile për protesta.

Ndërkaq, të pavendosur për këtë iniciativë janë shprehur pjesa tjetër e opozitës, të cilët për gazetën “Zëri” kanë thënë që për këtë çështje duhet të shteren të gjitha mundësitë institucionale dhe se opsioni i fundit duhet të jenë protestat.