Veseli: Nëse LVV dhe LDK ikin nga përgjegjësitë, PDK-ja do të jetë në udhëheqje të vendit

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli tha sonte se nëse kështu ikin frikacakët për marrjen e përgjegjësive, në këtë rast LVV dhe LDK, shumë shpejt do të ketë fushatë zgjedhore dhe PDK do të jetë në pushtet.

Veseli duke iu drejtua të rinjve të kësaj partie në 20-vjetorin e themelimit, tha se të rinjtë duhet ta kenë të qartë, se secili duhet më marrë përgjegjësi, me pasur guxim, vizion dhe moral për me i shërbyer vendit dhe shtetit të Kosovës.

“Ende nuk është fushatë elektorale, por po ua jep fjalën, në qoftë se këta frikacakët, ikin si struc kështu si po ikin me i marrë përgjegjësitë, shumë shpejt do të ketë fushatë elektorale dhe shumë shpejt do të jetë Partia Demokratike e Kosovës në udhëheqje të vendit. Ju jeni të rijnë, por një gjë duhet të jetë e qartë, se secili duhet më marrë përgjegjësi. Duhet me pasur guxim, duhet me pas vizion, duhet me pasur ndershmëri e moral për t’i shërbyer vendit dhe shtetin tënd”, tha Veseli.

Këto komente Veseli i bëri në shënimin 20-vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës, i cili tha se me këtë formë dhe me këtë mentalitet, LVV dhe LDK po e rrënojnë shtetin e Kosovës dhe po e forcojnë Serbinë.

“Kjo çka po ndodhë në këto ditë dhe në këta muaj, është një reflektim jo pozitiv. Ajo çka po manifestohet aktualisht më tepër është shqetësuese. Ajo çfarë po përçohet si mesazh, si mentalitet dhe ajo çfarë po përçohet edhe si frikë se çfarë mund të ndodhë me të ardhmen e shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Duhet të merren përgjegjësitë, rezultati zgjedhor ka qenë ai i cili ka qenë, populli ka fol dhe askush s’ka të drejtë të mallkojë qytetarët e vendit të vet. Por e ka për obligim të merr përgjegjësitë të cilat i ka, në mënyrë që ky vend të ec edhe më përpara, sepse cikli pozitë-opozitë do të ekzistoj gjithmonë. Ajo çka asnjë herë nuk duhet të dëmtohet është shteti, zhvillimi ekonomik dhe sovraniteti I Kosovës. Me këtë formë, me këtë mentalitet po e rrënojnë këta njerëz shtetin tonë, po e forcojnë Serbinë”, theksoi ai.

Veseli ndër të tjera shtoi se në këtë situatë delikate për vendin, si kryetar i PDK-së ka kërkuar nga ministri i ri i Financave, Lulëzim Rafuna që në buxhetin e ri të dyfishohet buxheti për armatim të ushtrisë së Kosovës si dhe atë për Policinë e Kosovës, si dhe për ekonomi në mënyrë që vendi të rrisë sigurinë edhe më shumë.

Ndërsa, kryetari i RDK-së, Donjet Bislimi tha se PDK ka gjatë këtyre 20 viteve ka kaluar nëpër shumë sida dhe disfata, por edhe me fitore dhe suksese, e cila ka kontribuar për shtetndërtimin dhe të ardhmen e Kosovës.

Nëpër etapa të ndryshme dhe kohëra të ndryshme, herë me sfida e herë me suksese. Herë me disfata e herë me fitore, ne gjithmonë kemi qenë të bashkuar me zemër e me shpirt dhe me dashuri për vendin tonë, për partinë tonë, por më së shumti për shtëpinë tonë që e vetmja shtëpi është Kosova. Kosova, është shtëpia jonë e vetme për të cilën ne jetojmë, frymojmë dhe së bashku kontribuojmë për vendin dhe të ardhmen tonë”, tha Bislimi.

Në shënimin e përvjetorit të 20-të RDK-së, të pranishëm ishin edhe fikura të larta të PDK-së, si Uran Ismajli, Enver Hoxhaj, Elmi Reçica, Abelrad Tahiri dhe të tjerë.