Veseli kujton protestën që kishte organizuar me Thaçin më 1990 dhe takimin me Adem Jasharin në oborrin e UP’së

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli njëherish kryetar i PDK’së, ka kujtuar një protestë që e kishte organizuar bashkë me presidentin Hashim Thaçi, kundër Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

“23 janar 1990 kemi qenë në Bibliotekë Kombëtare së bashku me presidentin aktual të Republikës së Kosovës, kemi organizuar një protestë, ishte mbytja e Nuredin Nuredinit në Haraçinë të Shkupit. Kemi dalë këtu kemi protestuar, por qëllimin e kemi pasur kundër Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, që mbahej atëherë konferenca e nuk e di satë, ishim kundër asaj Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ishim kundër Jugosllavisë, kemi dalë këtu, kemi mbajtë një nga protestat më të mëdha që ka pasur atëherë në Kosovë, para Komitetit që quhej atëherë me datën 23 dhe 24 janar”, ka thënë Veseli në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për të rinj në fushën e ndërmarrësisë.

“Në fakt, kemi arritur me sukses që ma mos t’ju shihet as emri as pamja Lidhje Komuniste të Kosovës dhe Lidhje Komuniste të Jugosllavisë nuk ka pasur që nga atëherë. Pra, këto kanë qenë preukopimet tona”, ka thënë Veseli, shkruan Periskopi.

Më pas, ai ka kujtuar momentin kur ishin takuar me Adem Jasharin para fakultetit Filologjik.

“Diku nja 100 metra larg nga këtu, kemi marrë edhe kontaktin e parë me komandantin legjendar Adem Jashari, pikërisht para fakultetit Filologjik”, ka thënë ai.

Por Veseli ka thënë se tani dëshiron të flasë për të rinjtë, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe ndërmarrësinë.

“Pra kjo është historia që kemi kaluar në si të rinj, por unë flas dicka që është shumë më domethënëse për momentin aktual, ka të bëjë me aftësimet e të rinjve, ta bëjnë Kosovën një vend që është ma i mirë, me pasë mundësinë që jo vetëm të kenë vende pune por edhe të krijojnë vende të reja pune”, ka thënë ai.