Veseli gjatë vizitës në Policinë e Kosovës thotë se do t’i adresoj kërkesat e tyre

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka përgëzuar drejtuesit e Policisë së Kosovës, për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët.

Veseli përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se duhet të punohet edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit.

Ai po ashtu tha se kanë diskutuar edhe për kërkesat që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor.

“Drejtuesit e Policisë së Kosovës i përgëzova sot për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët tanë. Duhet të punojmë edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit, ku secili trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të jemi të pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Diskutuam edhe për kërkesat që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor. Këto janë tri segmente tejet të rëndësishme për këtë institucion dhe ne do t’i adresojmë shumë shpejt ato”, ka shkruar Veseli në Facebook.