Veliu: Përpjekjet e VV-së janë jo-serioze, po duan pushtet absolut që ta nënshtrojnë LDK-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e ka quajtur publikisht jo-serioze përpjekjen e Vetëvendosjes për ndërtimin e institucioneve.

Sipas Veliut, e tërë kjo përpjekje nga Vetëvendosje e ka për synim pushtetin absolut që nënkupton nënshtrimin e LDK-së.

Veliu ka shkuar edhe më tutje duke thënë se VV po synon që ta shkëpusë LDK-në nga e kaluara e saj europiane e euroatlantike.

Ai është shprehur se këtë përpjekje siç e quan ai të dështuar të VV-së nuk duhet ta ndihmojë askush nga LDK

Ky është reagimi i tij i plotë:

Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës.

E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin.

Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.

Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi.

Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh.