Vazhdon kaosi në dy lagje të Prishtinës (VIDEO)

Banorët e lagjes “Fehmi Agani” në Prishtinë dhe bizneset në këtë lagje ka kohë që po përballen me një hall të madh.

Kjo pasi që Komuna e Prishtinës në muajin mars filloi punimeve në këtë lagje për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, duke bllokuar kështu rrugën hyrëse “Fehmi Agani” dhe atë dalëse “Hajdar Dushi”.

Ndonëse Komuna pati premtuar që punimet e filluara me 28 mars do të përfundojnë për 60 ditë sipas planit dinamik, ato u stërzgjatën deri në muajin korrik të këtij viti.

E me këtë vonesë nuk janë të kënaqura as bizneset në këtë lagje. Ata po pohojnë se janë dëmtuar shumë financiarisht nga këto punime dhe se po presin nga Komuna e Prishtinës t’u kompensohet dëmi.

Të pakënaqur shprehen edhe banorët e këtyre dy lagjeve. Ata për Tribuna Channel thonë se kjo tejzgjatje e punimeve u ka nxjerrë shumë probleme, derisa fajin për këtë kaos ia hedhin Komunës së Prishtinës.

Edhe pse Komuna e Prishtinës ka njoftuar se punimet në rrugën “Fehmi Agani” dhe “Hajdar Dushi” kanë përfunduar dhe se këto dy rrugë tashmë janë të lira për qarkullim, pamjet në vazhdim na japin një tjetër përgjigje.

Tribuna Channel ka tentuar të marrë përgjigje prej Zëdhënësit të Komunës Adonis Tahiri, në lidhje me kaosin që zgjati rreth 90 ditë në dy rrugët “Fehmi Agani” dhe “Hajdar Dushi”, por ky i fundit nuk ka pranuar të jap detaje.