Vazhdon aktivitetin humanitar: Adnani ndihmon minatorin pensionist, Hazir Hysenin

Ndërmarrësi pejan, Adnan Hyseni, në vazhdën e iniciativës së tij humanitare, sot ka qenë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për ta ndihmuar Hazir Hysenin nga Mitrovica, i cili një pjesë të madhe të gishtërinjve (duar dhe këmbë) i ka të dëmtuar.
Adnani ka treguar për Telegrafin se Hazir Hyseni, si pasojë e një infektimi në gjak, ka përfunduar në këtë gjendje, duke shtuar se “atij sot i është ofruar një shumë prej njëmijë eurove”.

Ndërmarrësi pejan për më pak se 12 orë nga momenti kur e ka marrë kërkesën për ta ndihmuar Hazir Hysenin, ka shkuar në QKUK dhe ia ka dorëzuar shumën e sipërpërmendur të parave.

“Haziri ka punuar për rreth 30 vite si punëtor i kombinatit ‘Trepça’, duke iu bashkuar karvanit të minatorëve të cilët përmes punës së tyre i kanë rezistuar regjimit serb. Haziri nuk ka mundësi t’i përballojë shpenzimet për ilaçe, sepse pensioni të cilin e merr ai është vetëm 105 euro në muaj”, ka theksuar Adnani.

Në videon e postuar në llogarinë e Adnanit në Facebook, Haziri ka thënë: “Faleminderit ty e popullit e të gjithëve. Gjithmonë paçit, ju dhe ata, krejt kush i ka dhënë këto para”.

“Kërkojmë nga institucionet, e më pas edhe nga qytetarët e Mitrovicës, Kosovës dhe diasporës që ta ndihmojmë që ta mbështesim Bacën Hazir, që edhe atij t’i kthehet buzëqeshja dhe të shërohet sa më parë”, ka shtuar Adnani.