Valon Murati: Kosovacentrizmi është antishqiptarizëm!

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka deklaruar se Kosovacentrizmi dhe është antishqiptarizëm dhe natyrshëm në të ardhmen do të ndikojë edhe në një shpërbërje të kohezimit  shoqëror e kombëtar në Kosovë duke hapur porta të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarëve.

“Nëse qeveria e re do të marrë këtë rrugë të promovuar nga LDK-ja, duke e dëmtuar qenien shqiptare në Kosovë dhe marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë, pasojat për Kosovën dhe interesat e saj shtetëror do të jenë të mëdha. Sigurisht interesat strategjike të shqiptarëve do të lëndoheshin rëndë, por njëkohësisht do të krijoheshin hapësira për situata të vazhdueshme të destabilizimit të tërë rajonit. Kosovacentrizmi jo veç që është antishqiptarizëm, por është edhe hapje e dyerve për ksenofobi në shoqërinë tonë”, ka thënë Murati.

Tutje ai theksoi se rrjedhimisht kosovacentrizmi është edhe vlerë anti-evropiane, sepse ajo që është dëshmuar kaherë në këto hapësira, vetëm identiteti shqiptar që ngërthen në vete tërë kompleksitetin e të qenit shqiptar është vlerë evropiane në vetvete.