Urdhërohet sjellja me detyrim në gjykatë për kryetarin e Novobërdës

Gjykata Themelore në Gjilan, për të tretën herë me radhë, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq.

Një urdhëresë e tillë është përsëritur, pasi që i akuzuari Ivanoviq, ka munguar në seancën e së premtes, në rastin ku ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi ka njoftuar se gjykata ka pranuar një kërkesë nga një zyrtar i Komunës së Novobërdës, për shtyrjen e kësaj seance, me arsyetimin se kryetari i komunës, përkatësisht i akuzuari Ivanoviq, gjendet i sëmurë në një ordinancë private në Prishtinë.

Gjykatësi Maliqi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 22 nëntor 2019, nga ora 9:00, ku ndaj të akuzuarit Svetisllav Ivanoviq do të përsëritet urdhëresa për sjellje me dhunë.

Në seancën e 21 qershorit të këtij viti, po ashtu kishte munguar i akuzuari Ivanoviq, e që pastaj ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij, mirëpo siç kishte thënë gjykatësi Maliqi, në ndërkohë nëse ai do ta arsyetonte mos ardhjen e tij, gjykata do ta tërhiqte këtë urdhëresë.

Ndërsa, në seancën e 20 shtatorit të këtij viti, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë ndaj të akuzuarit Ivanoviq, pasi ai nuk ishte paraqitur në gjykatë, edhe pse sipas gjykatësit Maliqi, ai ishte i ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, në seancën e së premtes kanë prezantuar prokurori Arben Kadriu, mbrojtësi i të akuzuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Hamdi Jashari, si dhe dëshmitarët Avdullah Gashi dhe Goran Steviq, ndërsa ka munguar përfaqësuesi i Komunës së Novobërdës.

Kryetari i Novobërdës, në seancën fillestare të 25 janarit të vitit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit.