‘Ujku’ i Betejës së Koshares, i jashtëzakonshëm në përdorimin e të gjitha armëve të UÇK-së

Në Kosharen legjendare, aty ku u zhvillua beteja më e përgjakshme dhe më heroike e luftës së Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, tani pushojnë të qetë 114 dëshmorë. 

Shokët që e deshën lirinë më shumë se asgjë tjetër, sot i vizitoi bashkëluftëtari, Shkelzen Mataj.

Me dhimbje në shpirt dhe plagë në gjoks, ai përkulet pranë varrit të komandantit Agim Ramadani.

I ftohti i kësaj dite, nuk e dridhi aspak komandant ‘Ujkun’. 20 vite më parë ai i kishte rezistuar forcave serbe në acar duke ngrohur duart pranë tytës së topit.

Në një intervistë Shkelzeni rrëfen se si ka luftuar në zona të ndryshme dhe ka futur armatim me dhjetëra herë në Kosovë.

Ai ka qenë i aftë t’i përdorë të gjitha armët të cilat i ka poseduar atë kohë UÇK-ja.

Tutje, komandant ‘Ujku’ ka kujtuar ditën se si është vrarë Abaz Thaçi dhe se si forcat serbe e kanë shtypur me tankë.

Ky burrë i fort dhe krenar, për 82 ditë rresht kishte qëndruar në pozicion i pazëvendësuar nga askush. Në mungesë të ujit ai kishte pirë lëng bore.

Atij i është vrarë edhe djali i axhës, Albisian Mati dhe për të Shkelzeni bashkë me vëllezrit e tij ka marrë hak në Koshare.

Në fund, Shkelzeni ka treguar se që nga paslufta nuk i është ofruar asnjë punë nga shteti ndërsa tani merr pensionin e veteranit.

I lumtur se triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës bëri që të shembet muri gati 100 vjeçar i vënë mes Kosovës dhe Shqipërisë, veterani i UÇK-së uroi që sakrifica e të rënëve të mbetet shembull ndër breza.