Tusk kërkon normalizim të marrëdhënieve me Serbinë (VIDEO)

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian, dha porosi të qarta për Kosovën, në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Sipas tij, pa normalizim gjithëpërfshirës, të marrëdhënieve me Serbinë dhe pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, nuk mund të bëhet ndryshim dhe përmirësim i marrëdhënieve me BE-në, raporton Tribuna Channel.

“Unë e di që kjo do të jetë e vështirë, por jam i kujdesshëm dhe optimist. Pas takimit që kisha me z Vuçic dhe sot në takimin me presidentin tuaj, unë jam më shumë më optimist, e më pak i vëmendshëm. Unë e di që kjo është një çështje e ngarkuar dhe emocionalisht për të dy palët, por nuk ka alternativë tjetër të qëndrueshme për normalizimin”.

Tusk në Prishtinë, kërkoi konsensus politik për luftimin e krimit dhe korrupsionit, për sa kohë që përgëzoi Kosovën për ratifikimin e demarkacionit.

“Luftimi i  krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të qenë efektiv, kërkon gjithashtu një konsensus politik në Kosovë. Dhe me konsensusin tuaj z. President besoj që kemi mundësinë,  që të vazhdojmë me këtë politikë spektakolare dhe shumë pozitive. Angazhime të përhershme për të ndërtuar konsensusin në Kosovë,  e po ashtu dhe në rajon për çështjet me të vështira dhe me të ndjeshme. Iu lutem, besoni se te gjithë koleget e mi ne Bruksel  dhe në kryeqendrat evropiane, i çmojnë lartë të arriturat tuaja. Kjo mund të shërbeje dhe si model për fqinjët tuaj”

E presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Tusk përshpejtim të procesit për liberalizim të vizave për Kosovën dhe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin e Evropian.

“Kosova është e bekuar, sepse reflekton një mbështetje qytetare masive në raport me BE-në dhe vlerave perëndimore. Mirëpo Kosova  ka nevojë për konkretizim të perspektives së vet evropiane”,

Thaci shtoi se Kosova mbetet e interesuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Në funksion të këtij qëllimi, unë jam duke i koordinuar të gjitha veprimet me institucionet tona shtetërore, por dhe me partnerët tanë strategjik ndërkombëtar, të cilët duhet t’i falënderoj për vëmendjen e shtuar,  ndaj Kosovës dhe këtij procesi.

Vizita e Presidentit të këshillit Evropian, Donald Tusk është pjesë e një udhëtimi në rajon, për ta përgatitur samitin e BE së me vendet e Ballkanit perëndimor,  që do të mbahet në Sofie me 17 maj./GazetaTribuna/