Trump shkarkon drejtorin e Shërbimit Sekret

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkarkoi drejtorin e Shërbimit Sekret – agjencisë që ofron mbrojtje për të dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi shkarkimin e Randolph Alles, një ditë pasi Trump njoftoi se sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, po linte postin.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se James Murray, agjent i Shërbimit Sekret, do të marrë postin e drejtorit në këtë agjenci nga muaji maj.

Alles e ka udhëhequr Shërbimin Sekret për dy vjet dhe ka shërbyer në Trupat Detare të SHBA-së për 35 vjet, përpara se të tërhiqej nga ushtria në vitin 2011.

Shërbimi Sekret është përgjegjës për mbrojtjen e presidentit dhe të nënpresidentit të SHBA-së, të ish-presidentëve dhe të krerëve të shteteve që vizitojnë SHBA-në.