Tjetërsimi i Albin Kurtit – Premtimet e fushatës që i shkeli ende pa u bërë kryeministër

Kosova ka mbetur pa qeveri funksionale. Ramush Haradinaj zyrtarisht dha dorëheqje më 19 korrik të vitit të kaluar, e gjashtë muaj më pas, ai po e ushtron ende këtë pozitë në zyrën e tij.

Përplasjet, egot politike dhe mospajtimet e Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve dhe LDK-së si parti e dytë, e kanë futur Kosovën në ngërç politik, pa qeveri dhe institucione funksionale.

Mirëpo kështu nuk ishte para mbajtjes së zgjedhjeve e gjatë fushatës elektorale. Kandidatët për kryeministra nga dy partitë e para, Albin Kurti e Vjosa Osmani, fjalët i kishin ndryshe.

Sipas asaj që thoshte Kurti, qeveria e tij do të kishte vetëm 12 ministri. Kurti aso kohe premtonte se brenda 72 orësh, pas certifikimit të rezultateve, do të takoheshin me LDK-në e më pas do të lidhnin marrëveshje.

“Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja e Mustafës është dhënë, që një orë pas certifikimit të rezultateve pas rinumërimit ne do të takohemi brenda 72 orëve, dhe do ta bëjmë marrëveshjen për koalicionin qeverisës”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media para certifikimit të rezultateve.

Albin Kurti thoshte se marrëveshja me LDK-në kryhet brenda 72 orësh

Kjo deklaratë e Kurtit ra shpejtë në ujë. Tash kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga nisja e negociatave në nivel të kryetarëve të partive, LDK e VV s’kanë arritur ende marrëveshje, madje një e tillë nuk duket as afër teksa liderët as nuk kanë planifikuar takim të radhës.

Premtim tjetër elektoral i Kurtit ishte edhe kufizimi i ministrive. Ai premtonte se Qeveria e tij do të ketë vetëm 12 ministri, ndërsa do të reduktohej dukshëm numri i zëvendësministrave.

Mbështetet ideja për zvogëlimin e qeverisë, 12 ministri mjaftojnë

Sidoqoftë, ky premtim i Kurtit ra në ujë ende pa u ulur në karrigen e kryeministrit.

Sipas asaj që është raportuar vazhdimisht, është vet Kurti ai që ka kërkuar rritjen e numrit të ministrive në 14.

Në bazë të ndarjes së përgjegjësive, LDK do të ketë numër më të madh të ministrive, saktësisht 6, teksa 5 do të jenë të ndara për VV-në e 3 për minoritetet.

Premtim e fjalë tjera kishin dhënë të dy partitë për transparencën publike. Siç ato zotoheshin, çdo gjë do të kalonte përmes publikimit dhe njoftimit të qytetarëve për vendimet e rëndësishme që janë në plan të ndërmerren.

Por kjo s’po ndodh as në kohë të negociatave. Marrëveshjet e propozuara për njëra tjetrën dhe ajo çka po diskutohet brenda takimeve po mbetet mister për qytetarët dhe mediat.

Madje, në raste të shumta, zyrtarë të VV-së po i akuzojnë edhe mediat për raportimet në bazë të burimeve për atë se çka po ndodhë brenda takimeve.

Sjelljet e liderit të VV-së, Albin Kurti karshi presidentit të vendit, Hashim Thaçi e kanë çuditur me të madhe opinionin në Kosovë.

Në një emision televiziv, Kurti pas përfundimit të zgjedhjeve, deklarohej se mezi po e priste takimin me presidentin për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë.

“Është obligim kushtetues i tij edhe më në fund do të ketë një gjë të mirë që do bëjë ai president, do të më jep mandatin mua”, kishte thënë Kurti.

Mirëpo as kjo nuk ndodhi. U deshën tri ftesa nga presidenti, që Kurti më në fund ta caktojë një datë për takim, e që ishte e hëna e 6 janarit.

Sidoqoftë, as ky takim nuk solli diçka të re. Kurti tha se nuk e ka emrin për mandatarin për formimin e qeverisë, teksa kjo situatë po vazhdon deri sot.

Presidenti ndërkohë i ka kërkuar Kurtit përgjigje, në atë se nëse ky i fundit do ta marrë ose jo mandatimin për formimin e qeverisë së re ku ai do të jetë kryeministër.

Në këtë kontekst, nuk është përjashtuar as dërgimi në Kushtetuese i kësaj dileme.

Një situatë e pakëndshme në tërë këtë çështje është për ish-kandidaten e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani.

Roli që ajo po ka në negociatat me Vetëvendosjen është vetëm hije e rolit që kishte sa ishte kandidate për kryeministre, e ku proklamonte se vendimet nëse zgjedhej kryetare e Qeverisë do t’i marrë krejtësisht vet.

Sidoqoftë, Osmanit nuk i është lënë hapësirë e madhe në negociatat e fundit me VV-në, teksa vendimet për ofertat e ndërsjella po merren nga Isa Mustafa e Lutfi Haziri.