Thaçi sfidon Serbinë: Konfirmon shkuarjen në Beograd

Hashim Thaçi e ka konfirmuar shkuarjen në Beograd, megjithë presionin e madhe politik dhe medial atje se ai mund të arrestohet.

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës do të merr pjesë në konferencën lidhur me integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor, ka konfirmuar organizator – Këshilli Rinor për Arsimim me seli në Beograd.

Kjo OJQ me përkrahje të ambasadës britanike në Beograd nga 23 deri më 25 prill organizon konferencën: “Integrimet Evropiane të Ballkanit Perëndimor: bashkë mundemi më mirë”, në të cilën 20 folës do të diskutojnë për integrimet evropiane të vendeve në rajon, raporton B92.

Siç njoftohet në njoftim, pjesëmarrjen në këtë konferencë, pos Thaçit, e kanë konfirmuar edhe zëvendësi i tij Petrit Selimi, sekretarja shtetërore për integrime evropiane të Maqedonisë, Ana Blazhevska, zëvendësdrejtorja e drejtorisë për integrime evropiane të Bosnjës, Darja Ramlak, ministri këshilltar nga Bosnja, Sherif Mujkanoviq, ambasadorja e Maqedonisë në Beograd, Vera Jovanovska-Tipko dhe ambasadori britanik Dennis Ciff.

Të kujtojmë se prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviq ka deklaruar se “fletarresti për Hashim Thaçin është ende në fuqi në territorin e Serbisë dhe ai mund të arrestohet nëse vije në Beograd”.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri serb i policisë, Nebojsha Stefanoviq, i cili ka thënë se Thaçi do të arrestohet nëse vije në Beograd, transmeton Indeksonline.

Megjithatë, sipas Reuters, nëse Serbia vetëm tenton arrestimin e Thaçit, atëherë ky do të ishte incident i rëndë diplomatik dhe i cili do ta zemëronte BE-në, kështu që ka pak mundësi se Thaçi mund të arrestohet./Gazeta Tribuna/