Thaçi pranon letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Kroacisë

Presidenti Hashim Thaçi, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Kroacisë, Danijela Barisiq.

 

Thaçi fillimisht e ka uruar atë për detyrën e re, duke i ofruar bashkëpunim për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona.

Ai ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat, sidomos në atë të integrimeve euroatlantike.

“Kroacia është një partner i rëndësishëm i Kosovës. Marrëdhëniet tona të mira duhet të zgjerohen edhe në ekonomi, arsim dhe kulturë”, ka thënë presidenti.

Nga ana tjetër, diplomatja kroate, Danijela Barisiq ka theksuar se vendi i saj do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, derisa është e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Kreu i shtetit në fund ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekin rrugën e reformave të Kroacisë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.