Thaçi në vëmendje të medieve sllovene

Qëndrimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi në Slloveni, duket se ka tërhequr vëmendje të madhe të mediave sllovene, të cilat në raportimet e sotme të tyre ishin përqendruar kryesisht në marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Sllovenisë dhe shtetit më të ri në rajon, Kosovës.

Radiotelevizioni Slloven (RTVSLOV) i ka dhënë hapësirë të madhe në ditarin qendror më të shikuar në Slloveni takimeve dypalëshe të Thaçit me krerët e shtetit. Nënshkrimi i marrëveshjes së Kosovës me Slloveninë për bashkëpunim ekonomik është cilësuar nga RTVSLOV si shumë i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e ekonomisë. “Gjatë takimit me homologun e tij Karl Erjavec, kryediplomati kosovar Hashim Thaçi ka marrë mbështetjen e plotë se Sllovenia si anëtare e BE-së dhe NATO-s e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës ne proceset integruese dhe në anëtarësimin e saj në organizatat euroatlantike”, thuhej në ditarin qendror të Radiotelevizionit të Sllovenisë.

Gjithashtu, edhe në mediumin elektronik POPTV, vizita e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës në Slloveni është pasqyruar shumë gjerësisht. Ndërsa, në njërin prej televizoneve më të shikuar në Slloveni, 24UR, janë pasqyruar dhe detaje të shumta të takimeve dypalëshe të Thaçit me krerët më të lartë të shtetit slloven.

Pos pasqyrimit të aktiviteteve kryesore, televizionet i kanë kushtuar hapësirë të madhe edhe përkrahjes që Sllovenia i jep shtetit të Kosovës. Në raportimin nga takimi me kryeministrin Cerar është theksuar përkrahja që kreu i ekzekutimit të Sllovenisë i ka dhënë Thaçit, të cilin e ka siguruar se Sllovenia qëndron fuqishëm si mbështetëse e pavarësisë së Kosovës dhe përkrahëse e madhe e proceseve integruese të saj në BE, duke shtuar se Sllovenia e konsideron shumë të rëndësishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për stabilizimin e plotë të situatës në rajon.

Thaçi, në shumicën e mediave sllovene thuhet se e ka vlerësuar si shumë të mirë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke shtuar se rreth 250 kompani biznesi sllovene që veprojnë dhe që kanë investuar në Kosovë janë dëshmia më e mirë për marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet nesh.

Në pjesën kryesore të televizionit 24UR, gjithashtu është raportuar se zëvendëskryeministri i Kosovës ka konfirmuar se shteti i Kosovës qëndron fuqishëm në luftë kundër terrorizmit dhe se është angazhuar në luftimin e atyre individëve që kanë synuar apo u janë bashkuar grupeve terroriste.

“Kosova është shtet i pavarur dhe nuk synon ndryshimin e kufijve. Po punojmë që të shkojmë drejt një perspektive evropiane. Të gjitha së bashku, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia duhet të integrohemi në familjen evropiane. Askush nuk duhet të trembet nga hapja e kufijve në rajon. Hapja e kufijve do të thotë evropianizim”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Edhe gazetat ditore i kanë kushtuar rëndësi të madhe takimeve dypalëshe të Thaçit në Slloveni. “Dnevnik” nga vizita e Thaçit sjell raportin me titull “Sllovenia dhe Kosova për thellimin e bashkëpunimit”. Gazeta tjetër e përditshme qendrore në Slloveni, Dello e Lubjanës, në numrin e saj revial të sotëm ka botuar një intervistë të gjatë në tre faqe të saj me zëvendëskryeministrin Thaçi, me titullin “Qytetarët e Kosovës ëndërrojnë një Evropë të Bashkuar”.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, Thaçi është cituar edhe prej agjencive të lajmeve, të cilat kanë raportuar për komentimin e tij ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, duke dalur në mbrojtje të tij.