Thaçi nderon vëllezërit Bytyqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nderuar vëllezërit Bytyqi gjatë një vizite te varrezat e tyre në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA.

“Para varrit të tyre, si president i Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella në emër të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për sakrificën që ka bërë familja Bytyqi për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

“U mbusha me ndjenjat më të thella të respektit, nderimit, por edhe dhimbjes në vizitën që bëra te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA”, shton kreu i vendit.

Presidenti Thaçi është takuar edhe me bashkëluftëtarë nga Batalioni i Atlantikut, së bashku me komandantin e tyre Gani Shehu, në vendin prej ku ata janë nisur për të ardhur dhe për të luftuar për Kosovën.

“Bijtë tanë nga të gjitha trojet shqiptare kishin lënë ëndrrën amerikane për të ardhur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë për liri, pavarësi e barazi në Kosovë. Do t’u jemi përjetësisht mirënjohës për këtë”, theksoi presidenti Thaçi.

Për më tepër, ai ka thënë se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe sot është i përkushtuar me të njëjtin zell për realizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në vendet e rajonit.

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

U mbusha me ndjenjat më të thella të respektit, nderimit, por edhe dhimbjes në vizitën që bëra te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të New Yorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA. Para varrit të tyre, si President i Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella në emër të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për sakrificën që ka bërë familja Bytyqi për Kosovën.

Ndjenja të respektit të thellë kisha edhe në takimin me bashkëluftëtarë nga Batalioni i Atlantikut, së bashku me komandantin e tyre Gani Shehu, në vendin prej ku ata janë nisur për të ardhur dhe për të luftuar për Kosovën. Bijtë tanë nga të gjitha trojet shqiptare kishin lënë ëndrrën amerikane për të ardhur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë për liri, pavarësi e barazi në Kosovë. Do u jemi përjetësisht mirënjohës për këtë.

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe sot është i përkushtuar me të njëjtin zell për realizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në vendet e rajonit. Për këtë ua shpreha mirënjohjen më të sinqertë komunitetin shqiptar në Bronx të New York. /Lajmi.net/