Thaçi: Kosova i tregoi botës vlerat e mikpritjes dhe respektit, krenar me lojtarët e tifozët

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka komentuar rrugëtimin fantastik të kombëtares tonë në futboll gjatë këtyre eliminatoreve për Kampionatin Evropian.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se ajo që mbetet tani nga gjithë kjo rrugë, është krenaria me lojtarët, tifozët dhe gjithë stafin e kombëtares, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se ndeshja me Anglinë e ka sjellur gjithë vëmendjen e botës në Kosovë, për atë se çka është Kosova dhe çfarë potenciali ka ajo.

Sipas presidentit, Kosova dhe populli i Kosovës është mirënjohës për mbëshetetjen që ka marrë në kohë të vështira nga miqtë e saj, dhe këtë po e kthen në miqësi të përhershme.

Postimi i plotë i presidentit:

Tash kur janë qetësuar emocionet për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe e shikojmë tërë udhëtimin e ekipit tonë të shkëlqyer, ajo që mbetet është krenaria me lojtarët, me tifozët, me trajnerin dhe stafin e tij. Ndeshja kundër Anglisë nuk e solli rezultatin e dëshiruar në fushën e gjelbër, por solli në vëmendjen e tërë botës atë se çfarë është Kosova, një shtet i ri me potencial të madh dhe një shoqëri që përkundër traumave të luftës dhe gjenocidit udhëhiqet me vlerat e mikpritjes dhe respektit, barazisë dhe vëllazërisë. Kosova dhe populli ynë janë mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë në kohët më të vështira dhe këtë po e kthejnë me miqësi të përhershme dhe me besim edhe më të fortë në vlerat e veta. Krenar me Kosovën.