Thaçi do të arrestohet në Beograd

Për Serbinë duket se ende është viti 1999.

Fletarresti për Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi ende mbetet në fuqi, edhe pse ajo është hequr moti nga dosjet ndërkombëtare dhe ato të interpolit. Këtë e konfirmon kryeprokurori për krime lufte në Serbi, Vladimir Vukqeviç i cili ka shtuar se Thaçi mund të arrestohet nëse shkel në Serbi.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanovic.

“Nëse Thaçi vjen në Beograd, Ministria e Punëve të Brendshme do të zbatoj ligjin dhe  do të veprojë”.

Të gjitha këto deklarata vijnë pas presionit të mediave në Serbi të cilat ftesën e Thaçit në Beograd e shohin si jo të zakonshme. Shefin e Diplomacisë Kosovare, Hashim Thaçi e ka ftuar një organizatë joqeveritare nga Serbia e cila konsideron se ardhja e Thaçit në Beograd si ministër i politikës së jashtme kosovare, duhet të ndodhë dhe se fletarrestet e vjetra për të që datojnë nga koha e regjimit të Milosevicit duhet të fshihen nga listat në Serbi.

Por, në një gjendje jo të lehtë politike në Serbi, ku pritet arrestimi i shefit të radikalëve serb Voislav Sheshel dhe kthimi i tij në Tribunalin e Hagës si dhe Rifomatizimi i Qeverisë së Aleksandar Vuqiç, që parasheh ndryshimin e disa ministrave – komentohet si kohë e pavolitshme për Qeverinë e Serbisë t’i bëjë ndonjë pritje të parit të diplomacisë nga Kosova.

Presioni nga mediat në Serbi e ka shtyer edhe shefin e diplomacisë, Ivica Daqiç të reagojë duke sqaruar se një vizitë e Thaçit në Beograd është e panevojshme në këtë kohë, dhe se ata që e kanë ftuar Thaçin në Serbi, nuk janë konsultuar me Beogradin Zyrtar.

Megjithë këto, ftesa për Thaçin në Beograd mbetet e hapur, derisa varet nga institucionet në Serbi se a do ta lejojnë dhe mbështesin një vizitë të tillë. Por me aq sa vrehet nga deklaratat ministrave serb, në Beograd ende mungon një vullnet i tillë./RTK/