Të pakualifikuar, ia mësyjnë “Ibër Lepencit” (VIDEO)

Qeveria e Kosovës për herë të parë ka shkarkuar bordin e “Iber Lepencit” për shkak të performancës së dobët dhe dyshimeve për shkelje ligjore.

Tribuna Channel disa ditë para se Qeveria të marrë një vendim për të shkarkuar këtë Bord, kishe raportuar për shkeljet e tyre.

Mirëpo jo gjithçka ka përfunduar në këtë Bord.

Bordi tanimë i shkarkuar kishte futur në listë të ngushtë për pozitën e Kryshefit të “Iber Lepencit” edhe tre persona për të cilët Komisioni kishte konkluduar se nuk i përmbushin kushtet e paracaktuara me konkursin publik.

Në bazë të dokumentacionit që ka siguruar TribunaChannel janë këta tre persona që janë futur në listë të ngushtë edhe pse Komisioni kishte shkruar ndryshe.

Për Shekip Fazliun Komisioni kishte deklaruar siç edhe shihet në këtë dokument se nuk plotëson kushtin e përvojës së punës prej pesë vjetëve e cila përvojë duhet t’i referohej pozitës me diplomë Universitare.

Sipas këtij dokumenti Komisioni rreth Shekip Fazliut e thotë këtë se: “përvoja e punës të cilën ju keni nuk korrespondon me pozitën së cilës i referohet diploma e kërkuar universitare”.

Kandidati tjetër për të cilin komisioni ka deklaruar se nuk i plotëson kushtet e kërkuara është edhe Qerim Halilaj. Edhe për këtë kandidat është vlerësuar se nuk e ka përvojën e kërkuar sipas konkursit.

Kushtet e kërkuara me konkurs sipas komisionit nuk i ka përmbushur as ish – deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj.

Komisioni për Zogajn kishte deklaruar siç edhe shihet në këtë dokument se nuk plotëson kushtin e shkollimit adekuat.

Që te tre këta kanë paraqitur ankesë por që të treve ankesa ju është refuzuar si e pa bazë. Por edhe përkundër kësaj Bordi tashmë i shkarkuar i ka futur në listë të ngushtë të kandidatëve për Kryeshef të kompanisë publike “Iber Lepenci”.

I njëjti bord në listë kishte futur edhe vëllaun e kryetarit të Podujevës, Sami Veliun, të cilin e ka shkarkuar qeveria në mbledhjen e fundit.

Kryetari i këtij komisioni, Osman Kozmaqi i kontaktuar nga Tribuna Channel nuk ka dashur të komentojë zhvillimet e fundit në ndërmarrje, me arsyetimin se nuk është i autorizuar, ani pse është kryetar i komisionit.

Përzgjedhja e Kryeshefit të kësaj ndërmarrje është bërë edhe mollë sherri mes partnerëve të koalicionit.

Në mbledhjen e qeverisë ku u shkarkuar ky bord për shkak dhënies së bonuseve edhe përkundër performancës negative dhe për shkak të shkeljeve ligjore, kishte reaguar zëvendëskryeminstri nga PDK-ja, Enver Hoxhaj i cili kishte kundërshtuar shkarkimin e tyre dhe kishte abstenuar kur ishte votuar shkarkimi i tyre./GazetaTribuna