Takohen Haradinaj e Veseli, flasin për takimin Kosovë-Serbi në Berlin

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur sot në zyrën e tij, kreun e Kuvendi të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin kanë diskutuar rreth takimit të së mërkurës në Berlin, ndërmjet palës kosovare me atë serbe, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Macronit e Merkelit.

“Prita në takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me të cilin biseduam për zhvillimet e fundit politike në vend. E njoftova Veselin për ecurinë e takimit në Berlin në mes përfaqësuesve të Zyres së Kryeministrit, Kancelares Merkel, Presidentit Macron dhe palës serbe”, ka njoftuar Haradinaj.

Ai ka treguar se takimi në Berlin, ka qenë për të evidentuar se deri ku ka shkuar zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.

Ndër të tjera thotë se Kosova ka njoftuar Berlinin se ka përmbushur të gjithë marrëveshjet e Brukselit dhe se është e gatshme të vazhdojë dialogun që dërgon në një marrëveshje finale.

“Ky takim kishte për qëllim evidentimin e zbatimit të marrëveshjeve nga dialogut teknik dhe çka duhet të bëhet në vazhdim. Në këtë takim Kosova i ka raportuar Berlinit zyrtar që Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit dhe është e gatshme të vazhdojë këtë dialog, tashmë të kornizuar që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shtuar Haradinaj.